Aktualitet

FMN: Emigrimi dhe plakja e popullsisë, rrezik për ekonominë! Forcimi i lekut ndikoi pozitivisht!

Ekonomia e Shqipërisë ka performuar pozitivisht përgjatë vitit 2023, por do të ngadalësohet gjatë këtij viti me 0.3%. Ky është vlerësimi i bërë së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikon që ekonomia e Shqipërisë këtë vit do të rritet me 3.3% nga 3.6% që është pritshmëria për vitin e kaluar.

 “Perspektivat ekonomike të Shqipërisë pritet të mbeten të qëndrueshme. Rritja reale e PBB-së është parashikuar në 3.6 për qind në 2023 dhe 3.3 për qind në 2024 të udhëhequr nga konsumi privat elastik, me forcë të dukshme në aktivitetin e turizmit dhe të ndërtimit”, thotë FMN.

Edhe në këtë vlerësim të bërë thuhet se:“Shkalla e lartë e emigrimit të punëtorëve dhe plakja e popullsisë përbëjnë kërcënime shtesë për rritjen ekonomike”.

Ndryshe nga institucionet vendase të cilat pohojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda këtij viti, FMN thotë se ulja e inflacionit në 3%, mund të arrihet në vitin 2025, vetëm në rast se Banka e Shqipërisë vazhdon të rrisë normën bazë të interesit, dhe ta çojë në 4.5%, nga 3.25% që është aktualisht.

“Kthimi i inflacionit në objektiv ka të ngjarë të kërkojë disa rritje të mëtejshme në normën bazë. Një rritje graduale e normës së politikës drejt një qëndrimi gjerësisht neutral – e vlerësuar në rreth 4.5 përqind – do të ndihmojë në kthimin e inflacionit në objektiv deri në fillim të vitit 2025”, thekson FMN.

Pasiguritë për uljen e inflacionit janë të larta për shkak edhe të tensioneve ndërkombëtare dhe varësisë që Shqipëria ka ndaj motit për prodhimin e energjisë, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar por vlerëson se ka pasur ndikim pozitiv forcimi i lekut në mbajtjen në kontroll të çmimeve.

Po ashtu vendit i sugjerohet të ulë varësinë nga borxhi me normë të ndryshueshme, si dhe të mbajë në kontroll sektorin e energjisë dhe PPP-të pasi i konsideron si çelësi për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.