Aktualitet

Prokuroria e Përgjithshme i kthen përgjigje Metës për ministrat e rinj!

Prokuroria e Përgjithshme iu përgjigj kërkesës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta lidhur me verifikimin e 16 emrave që pritet të jenë ministrat e rinj të qeverisë “Rama 3”.

Në përgjigjen e saj Prokuroria e Përgjithshme shprehet:

Asnjë nga 16 emrat nuk është në hetim.

Presidenti Ilir Meta i kishte kërkuar Prokurorisë informacione në lidhje me 16 emrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama si ministra. Në shkresën drejtuar organit të akuzës thuhej:

Presidenti Meta, kërkon të informohet mbi të dhëna apo informacione për çdo kandidat të propozuar, lidhur me procese hetimore apo penale ndaj tyre.

Ndër të tjera kërkohej që përgjigjet të ktheheshin sa më shpejt, që Presidenti të shprehet për emërimet brenda 7 ditëve.

Ditën e  sotme, Kryetari i Shtetit i bëri kërkesë edhe SPAK-ut për emrat e ministrave të rinj, ndërsa pritet një përgjigje nga ana e saj. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme anti-Korrupsion, Arben Kraja u shpreh për Top Channel se iu përcoll e njëjta kërkesë e presidentit për informacione mbi emrat e propozuar për ministra. Kraja tha se po e shqyrtojnë me përparësi. Sa i përket dhënies së informacionit nëse ka apo jo çështje ndaj tyre, ai deklaroi se: “është në kompetencë të SPAK-ut se cila do të jetë përgjigjja”.