Aktualitet

Prokuroria kërkon masën ‘arrest në burg’ për edukatoren që dhunoi barbarisht 3-vjeçaren!

Majlinda Dehima, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se dhunoi fëmijën 3-vjeçar në kopshtin ‘Stinët’. Arrestimi i saj është kryer pas kërkesës së prokurorisë për masën ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘Keqtrajtim i të miturit’. Sipas prokurorisë kjo kërkesë u bë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb).

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal.

Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.- njofton prokuroria.

Zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare të cilës iu thye këmba në kopshtin privat. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka marrë në pyetje Ylli Çakon, shef seksioni i krimeve, Ergys Brahimajn, specialist seksioni i krimeve, Rustem Dervishin, shef i krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës. Ata pranuan se kanë neglizhuar çështjen e skandalit të thyerjes së këmbës së 3-vjeçares në ambientet e kopshtit “Stinët”.

Gjatë sqarimeve para agjentëve të AMP-së, ata theksuan se kishin ndër mend të shihnin pamjet e kamerave të sigurisë në ditët në vijim, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe si ishte thyer këmba e vajzës së mitur në atë mënyrë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i ka referuar Prokurorisë së Tiranës dosjen ndaj 2 policëve, Ylli Çakon, shef i seksionit të krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës për akuzën “shpërdorim detyre”.

Nga ana tjetër, Instituti i Mjekësisë Ligjore njoftoi se vendimi për ekspertimin e fëmijës është kryer në datën 7 nëntor, dhe rezultatet i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës një ditë më vonë, në datën 8.