Rajoni

Protestë në Shkup, kërkohet rritje e pagave!

Në Shkup, mijëra persona zgjodhën të protestojnë sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, nën tingujt e këngës “Bella Ciao”. Ata kërkuan rritje të pagave dhe kushte më të mira në punë. Manifestimin e organizoi Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë së Veriut.

“Ne ju kemi ndërtuar shtetin, ju na linë pa rrogë”, “Luksi juaj është nga puna jonë”, “Paga të rritet, të rinjtë të qëndrojnë”, “Gjithçka duhet të ndërpritet që punëtori të mbijetojë”, “Pa fajdexhinj, shefa dhe bankierë mundemi, pa punëtorë nuk mundemi”, “Nuk ka punë pa para’”, ishin vetëm disa nga mbishkrimet në pankartat që mbanin në duar.

Protestuesit kërkuan rritjen e menjëhershme të pagave me 2,806 denarë apo rreth 45 euro, zbatimin e Marrëveshjeve Kolektive, ndalimin e presioneve e kërcënimeve ndaj punëtorëve, si dhe kushte më të mira në punë. Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Dhomave Ekonomike:

Paga më të larta që nga dita e hënë, sepse kriza ekonomike e ka ngrënë pagën e punëtorit. Ne nuk jemi robërit tuaj që shtatë ditë në javë të punojmë. Do të mblidhemi, do të bllokojmë gjithçka dhe kjo protestë do të kthehet në grevë, që nënkupton ndërprerje të punës.

Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Ndërtimit, tha se “nuk është e pranueshme që qeveritë të luajnë me të drejtat e punëtorëve”, ndërsa përsëriti kërkesat e sindikatës për rritje të pagave, miratimin e ligjit të ri për punësimin dhe lehtësira në stazhin e punës për disa aktivitete ekonomike.

Të gjitha krizat godasin xhepin e punëtorit!

Në Maqedoninë e Veriut, deri të premten ishin në grevë rreth 30 mijë punonjës të arsimit parashkollor, fillor e të mesëm. Arsimtarët kërkuan rritjen e pagave me 18.4 për qind. Sindikata e arsimit pezulloi grevën për dhjetë ditë për t’i dhënë mundësi negociatave, por në rast dështimi, greva do të riaktivizohet. Grevë kanë paralajmëruar edhe punonjësit administratës gjyqësore. Qeveria e Maqedonisë së Veriut shprehet e gatshme për bisedime, por jo “kushtëzime e shantazhe me prapavija politike”.