Showbiz

Përse Sharon Stone është larguar nga skena? Aktorja tregon gjithçka në një intervistë shokuese

Në një intervistë të dhënë së fundmi për “CBS” aktorja e famshme ka treguar për jetën e saj larg skenës dhe aktrimit por më së shumti larg syrit të publikut dhe pyetjeve të qindra gazetarëve.

Në vitin 2001 ajo u përball me një hemorragji cerebrale nga e cila shansi për të shpëtuar e gjallë ishte vetëm 5%.  59-vjeçarja ka treguar se e gjithë jeta dhe kujtimet e saj u fshinë teksa i duhej të mësonte çdo gjë nga e para.

“Në momentin e goditjes mendova se kisha vdekur. Çdo gjë u shua dhe isha vetëm në mes të dritës. Pasi hemorragjia u lehtësua duhet të mësoja çdo gjë nga fillimi. Si të flisja, ecja, numëroja dhe duhet të rinjihesha me të gjithë njerëzit e jetës sime. Isha e paralizuar”– është shprehur aktorja e famshme në këtë intervistë shokuese.

Kjo sëmundje ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës së saj dhe për herë të parë që nga viti 2001 ajo është gati t’i rikthehet aktrimit. Sharon Stone është duke xhiruar një serial televiziv ndërkohë që shprehet se fëmijët dhe familja e saj janë dy gjërat më të rëndësishme që ka. Ylli i “Basic Instinct” ka theksuar se nuk del shpesh nga shtëpia e saj. Gjithçka i duhet e ka aty, fëmijët, partnerin dhe kopshtin me lule që e adhuron. Ajo është shumë me fat që është gjallë dhe i është dhënë një mundësi e dytë për të jetuar.

Artistja ka shtuar se është përballur e vetme me këtë problem shëndetësor duke u fshehur prej vitesh nga media pasi sipas saj kjo e fundit është shumë mizore. E pyetur nëse është ngacmuar ndonjëherë seksualisht gjatë karrierës në Hollywood, Sharon ka qeshur me të madhe duke habitur të gjithë shikuesit.

Aktorja ka treguar se gjatë karrierës së saj 40-vjeçare ka parë çdo gjë dhe është përballur me çdo gjë. Ajo ishte e vetme kur në moshën e adoleshencës nisi të pozonte si modele dhe një karrierë e tillë nuk vjen kurrë pa sakrifica apo shfrytëzime. Ky koment i saj ka lënë të nënkuptohet se edhe Stone si shumë femra të tjera në këtë industri ka përjetuar abuzime seksuale, fizike dhe psikologjike.