Sociale Travel

Puna e hoteleve u rrit 50%, me po të njëjtën shifër edhe koha e qëndrimit të turistëve

Shqipëria në gjashtë muajt e parë të këtij viti qëndron në krye të Europës për rritjen e numrit të netqëndrimeve në hotele dhe struktura të tjera akomoduese.

Shifrat e korrikut nga INSTAT sugjerojnë se rekordi po vijon të mbahet, ndërsa kërkesa u rrit si nga vendasit dhe të huajt. Numri i vizitorëve në strukturat akomoduese u rrit me 40%, ndërsa net-qëndrimet apo koha që ato shpenzuan në këto struktura u rrit me 48%.

Janë gati 1.2 milion net-qëndrime gjatë korrikut ku 65% e tyre erdhën nga turistët. Të huajt në masë më të madhe kanë vizituar rajonin qëndror të vendit ku përfshihet kryeqyteti.

Gjithsesi nga ballafaqimi i shifrave, nga 1.67 milionë të huaj që erdhën për pushime, u realizuan vetëm 777 mijë net-qëndrime. Ky raport tregon se një turist ka kaluar 0.5 net në hotel, duke sinjalizuar informalitetin në sektorin e turizmit.

Këtu ndërhyn edhe roli i madh që shtëpitë e listuara në Airbnb kanë luajtur për të akomoduar të huajt dhe që nuk paguajnë taksë. Shtetasit e huaj që kanë përqindjen më të lartë të netqëndrimeve janë shqiptarët e kosovës, më pas vijnë polakët, italianët dhe gjermanët.

Hotelet në të gjithë vendin kanë funksionuar në 50% të kapacitetit të tyre gjatë korrikut, një nga vlerat më të larta historike.