Bota

Putin i mbyll Gjermanisë rubinetin e gazit, a do ta rihapë?!

Për 10 ditë radhazi duke nisur nga sot, Rusia do të ndalojë dërgesat e gazit natyror në Gjermani, përmes tubacionit “Nord Stream 1”. Autoritetet ruse thanë se kjo bëhet për shkak të disa punimeve të përvitshme në mirëmbajtje, por disa në Gjermani janë të shqetësuar se Kremlini mund të gjejë ose krijojë arsye për të zgjatur ndalesën, si formë ndëshkimi për Berlinin. Gjermania është duke mbështetur Ukrainën, si politikisht, ashtu edhe me armë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë, më 24 shkurt.

Njoftimi për pezullimin e furnizimeve me gaz vjen pasi qeveria kanadeze bëri të ditur se do të kthejë një turbinë të riparuar të gazsjellësit “Nord Stream 1” në Gjermani. Turbina pritet të dërgohet fillimisht në Gjermani e më pas t’i transferohet kompanisë ruse, Gazprom, që Kanadaja të mos i shkelë sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë.

Muajin e kaluar, Gazprom uli kapacitetet e furnizimit përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” në 40 për qind të niveleve normale, duke u bazuar në kthimin e vonuar të pajisjeve që janë çuar për riparim në kompaninë gjermane, Siemens, në Kanada.

Moska bëri të ditur se do të rrisë furnizimin me gaz në Europë, nëse i kthehet turbina. Punimet në “Nord Stream 1” ishin planifikuar shumë kohë më parë, por disa në Perëndim paralajmërojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, mund t‘i përdorë furnizimet me energji si armë politike.

Shtypi gjerman shkruan:

Putin do ta mbyllë rubinetin e gazit… por, a do ta hapë përsëri?

Për radion Deutschlandfunk, zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck u shpreh:

Po përballemi me një situatë të paprecedentë, çdo gjë është e mundur! Mund të ndodhë që gazi të rrjedhë sërish, ndoshta më shumë se më parë. Mund të ndodhë që asgjë të mos vijë. Ne duhet të përgatitemi për skenarin më të keq e të bëjmë çmos për t’u përballur me situatën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar se Rusia përdor naftën dhe gazin për të ushtruar presion politik e shtoi se “pezullimi i furnizimeve është një gjë e rregullt dhe e planifikuar”. Gjermania varet shumë nga furnizimet ruse me energji dhe ka paralajmëruar se ekonomia e saj mund të hyjë në recesion, nëse rrjedhat e gazit rus ndalen për një periudhë të gjatë.