Rajoni

QUINT-i apel Kosovës: Zbatoni vendimin për Manastirin e Deçanit, mos pengoni anëtarësimin në Këshillin e Europës!

Shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Bashkimit Europian, BE kanë përsëritur thirrjen ndaj Qeverisë së Kosovës, që plotësisht dhe me urgjencë, të zbatojë vendimin për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në një deklaratë të përbashkët të vendeve të QUINT-it thuhet se “pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, ai vendim për tokën nuk po zbatohet”.

Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe europiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike e gjithashtu parakushte, të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike, duke përfshirë këtu përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim.

Ka zgjatur 16 vjet, procesi gjyqësor lidhur me çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe sipërfaqe pyjore, nëse duhej t’i kalonin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” e “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit. Plot shtatë vjet më parë, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por problemi është se nuk është zbatuar, ndonëse për vendimet e Gjykatës Kushtetuese thuhet se janë përfundimtare dhe detyruese për të gjitha palët.

Këtë vendim, autoritetet vendore të Deçanit kanë vendosur të mos e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ‘90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç.

Tashmë prej disa viteve, bashkësia ndërkombëtare u bën thirrje të përsëritura institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese e ta lejojnë Manastirin e Deçanit që ta regjistrojë tokën në Kadastër, në emrin e tij, siç dhe i takon.