Aktualitet Politikë Rajoni

Rama: Menjëherë duhet të ndryshojë formati i dialogut Kosovë-Serbi!

Kryeministri Edi Rama shprehet se menjëherë duhet të ndryshojë formati i dialogut Kosovë-Serbi. Sot në konferencën për gazetarë, shefi i qeverisë solli në vëmendje një deklaratë që ai ka bërë më parë, se nevojitet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Sipas tij, misioni i NATO-s, KFOR duhet që të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ndër të tjera, shprehu edhe kënaqësinë që presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me hartimin e një drafti për Asociacionin e komunave serbe. Këtë e sheh si një hap në drejtimin e duhur.

Formati i dialogut duhet ngritur në një nivel konference, ndërsa përfaqësimi i Bashkimit Europian dhe i komunitetit euroatlantik, duhet ngritur në nivelin më të lartë, me Francën dhe Gjermaninë, në nivelin e presidentit e të kancelarit. Formati i derisotëm ku takohen dy burra, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re.

KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Më vjen mirë që këtë tashmë e kërkon edhe Kosova, ashtu siç më vjen mirë që Vjosa Osmani ka kërkuar pjesëmarrjen e SHBA-së për hartimin e një drafti për Asociacionin. Eshtë një hap më në fund në drejtimin e duhur.

Shefi i qeverisë deklaroi edhe se nëse kjo nuk ndodh, “stokut të marrëveshjeve mund t’i shtohet edhe një stok viktimash”.

Rama tha se një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës. Duke iu referuar edhe propozimit të tij për një draft-statut për Asociacionin, kryeministri theksoi se nuk ka rëndësi kush e shkruan, por çfarë sjell për të dy vendet.

Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se sot Kosova, më shumë se sa para se të ndodhte tragjedia, duhet të kërkojë dialogun dhe t’i besojë atij. Plani franko-gjerman, sipas Ramës, ende është në tryezë ndaj Prishtina duhet që të reflektojë.