Aktualitet Rajoni

Lajçak: Kosova duhet të fillojë formimin e Asociacionit ndërsa Serbia të njohë simbolet e Kosovës!

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, konfirmon se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është një pjesë e rëndësishme për të arritur tek zgjidhja përfundimtare, pavarësisht se kritikon palët për mungesën e zbatimit të saj.

Për Kosovën, ai thotë se duhet të nisë shpejt me formimin e Asociacionit me draft-statutin europian. Serbisë, shton ai, i takon që t’i përmbushë obligimet e saj paralelisht, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve.

“Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen”, tha Lajçak në një intervistë për Nova-n.

Tani, shtoi ai, diskutimi ka të bëjë me atë se si të zbutet ndikimi i rregullimit të pagesave me para në dorë në jetën e përditshme të njerëzve, gjë që largon përparimin në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

“Pozicioni i BE-së vazhdon të jetë se duhet të arrijmë një zgjidhje të përkohshme pa vonesa të mëtejshme në mënyrë që fokusi të kthehet në normalizimin e marrëdhënieve dhe të gjendet një zgjidhje e përhershme paralelisht me zbatimin e dispozitave përkatëse të Marrëveshjes. Në rrugën drejt normalizimit, në muajt e ardhshëm, ne shpresojmë që palët të përqendrohen në progresin në zbatimin e vetë Marrëveshjes”, shtoi Lajçak.

Lajçak ka folur edhe për përfundimin e mandatit si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë.

“Mandati im si Përfaqësues Special i BE-së përfundon më 31 gusht të këtij viti. Tashmë është zgjatur dy herë, në 2021 dhe 2022. Mandatet e Përfaqësuesit Special të BE-së zakonisht zgjasin katër vjet, si në shumicën e shërbimeve diplomatike, dhe deri në gusht do të kem kaluar katër vjet e gjysmë në këtë pozicion. Praktikë e mirë diplomatike është që pas asaj periudhe ka një ndryshim të personelit dhe unë personalisht mendoj se ndryshimi është i shëndetshëm.

Në përgjithësi, duke pasur parasysh mandatin, ishte gjithmonë e qartë se detyra ishte shumë sfiduese dhe e varur nga shumë faktorë. Siç e shoh unë, nuk është një sprint, por më shumë një stafetë në distanca të gjata ku unë do ta mbaj stafetën deri në fund të gushtit. Kishte përparime dhe pengesa, zhgënjime dhe gëzime gjatë rrugës.

Marrëveshja e vitit të kaluar për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër është diçka që duhet theksuar. Kjo marrëveshje ofron një kornizë të qartë për të ardhmen e procesit të normalizimit – të rënë dakord nga të dyja palët dhe duke hapur rrugën për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Është për të ardhur keq që palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje se si do të zbatohet marrëveshja. BE-ja ka bërë gjithçka që mundi, por ne nuk mund të dëshirojmë normalizim më shumë se Kosova dhe Serbia”, deklaroi ai dhe shtoi se të dyja palët zotërojnë procesin dhe duhet të marrin vendime të vështira politike.

Ai tha se largimi nga ky pozicion nuk është fundi i interesit apo përfshirjes së tij në Ballkanin Perëndimor.

“Për sa kohë që do të merrem me diplomaci dhe politikë, do të jem një mbështetës i fuqishëm i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, deklaroi Lajçak.