Aktualitet Politikë

Rama në Londër: Nëse ju pushtojnë rusët, ejani në Shqipëri/T’ju mbrojmë nga Putin e Braverman!

Në vijim të vizitës në Londër, kryeministri Rama e nisi ditën me një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House. Rama u shpreh se “ka spekulime lidhur me të dhënat e shqiptarëve që shkojnë drejt Britanisë së Madhe përmes La Manshit”. Sipas tij, një pjesë e madhe e shqiptarëve që i drejtohen Mbretërisë së Bashkuar janë nga Greqia.

Kur bëhet fjalë për Britaninë, kjo ka të bëjë me një lidhje me bazë familjare dhe zonash. Këta janë shqiptarë që vijnë nga verilindja e vendit ku lidhjet mes familjeve, fqinjëve janë të forta. Nga ana tjetër ka shumë paqartësi dhe spekulim për të dhënat. Nuk është thjesht e pavërtetë që këta njerëz vijnë nga Shqipëria, kjo është teorikisht e artimetikisht e pamundur. Ata janë shqiptarë që vijnë dhe nga vende të tjera, kryesisht nga Greqia.

Rama shtoi se “aktualisht, Shqipëria po përballet me shifra në rritje të shqiptarëve që kthehen në vendin e tyre pas emigrimit”. Kryeministri bëri të ditur se vitin e kaluar, numri i kthimeve ishte në 25%, shifër që e cilësoi “pozitive”.

Eshtë tjetër gjë sa njerëz e realizojnë dhe sa kthehen. Ajo me të cilën po përballemi është dhe një rritje e kthimeve. Ende është shumë negative mes ardhjeve e ikjeve. Por, më 2022-shin kthimet ishin 25%. Kjo është diçka e mirë se njerëzit që kthehen vijnë me një përvojë e mendësi tjetër. Ata e dinë se nuk është parajsa që kishin menduar.

I pyetur për anëtarësimin europian të vendit e se kur mund të ndodhë, Rama u shpreh se nuk mund të bëjë parashikime.

Të anëtarësohemi në Bashkimin Europian? Po më kërkoni të shoh globin e kristalit? Të parashikoj të ardhmen që është e pamundur, sepse dhe BE nuk di gjë për këtë. Askush nuk e di. Pjesa e thjeshtë dhe më e vështirë për ne është se duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë.

Në bashkëbisedim nuk munguan batutat, kur Rama deklaroi:

Nëse rusët pushtojnë Britaninë e Madhe, ejani te ne, se do t’ju mbrojmë nga Putin dhe Suella Braverman. Kjo është e sigurt, do ta shihni. Do ju mbrojmë!