Aktualitet

Rama: “Nuk është presion të kërkosh më shumë nga drejtësia!”

Në një konferencë për mediat nga selia rozë, me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Partia Socialiste është i vetmi subjekt politik në këtë vend, që as nuk i ka bërë, as nuk i bën dhe as nuk do t’i bëjë njëherë ndonjë presion drejtësisë”.

Jemi këtu sot në vijim të një diskutimi që është ngjallur nga qëndrimi im në Asamblenë Kombëtare të PS-së lidhur me nevojën që SPAK-u të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve e gjykatësve e të prokurorëve të korruptuar që si të tillë janë përjashtuar nga procesi i vetting-ut.

Disa e kanë quajtur këtë presion mbi drejtësinë, disa të tjerë frikë nga humbja e pushtetit, ndërsa të tjerë e kanë komentuar si përpjekje për të fshehur dështimet e qeverisë. Për mua, më e rëndësishme është që ky diskutim të bëhet sepse SPAK-u së shpejti mbush tre vjet dhe vetting-u në pak javë mbush pesë vjet.

Çfarë do të duhej të thonim pastaj për deklaratat e përfaqësuesve të Bashkimit Europian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur është kërkuar edhe hapur nominalisht ndëshkimi i politikanëve apo gjykatësve të korruptuar? Presion mbi drejtësinë? Sipas meje, jo! Sipas meje, kjo është një kërkesë legjitime për të kërkuar më shumë nga drejtësia, ndërkohë që për drejtësinë është bërë investimi më i madh në historinë e këtij vendi në aspektin politik, qoftë nga partia në pushtet, Partia Socialiste, qoftë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti dhe ish-kryeministri të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, me akuzat më të rënda të mundshme, që lidhen drejtpërdrejtë me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi e ta bësh këtë thuajse një vit pas shpalljes “non grata” dhe gjithashtu pasi Sekretari Amerikan i Shtetit ka kërkuar publikisht në deklaratë se institucionet e këtij vendi duhet të bëjnë punën e tyre.