Aktualitet

Rama takon Zelenskyn, më vonë takimi me Klitchko!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka publikuar momente nga takimi që ka pasur këtë të mërkurë në Kiev me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë malazez, Dritan Abazoviç.

Më herët, Rama dhe Abazoviç vizituan zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin dhe ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.

Edhe pse fund i luftës nuk duket i afërt, në Kiev është ndërtuar tashmë një muze lufte. Në ekspozitën “Kryqëzimi I Ukrainës”, shfaqen artefakte të gjetura pasi ushtria ruse u detyrua të tërhiqej nga zonat që pushtoi rreth kryeqytetit.

Këtë të mërkurë, dëshmitarë të pasojave të luftës u bënë kryeministri shqiptar Edi Rama, ministrja Elisa Spiropali dhe kryeministri malazez Dritan Abazoviç. Spiropali ka ndarë disa foto në rrjetin social “Facebook”.

Raketat, racionet ushqimore, helmeta dhe objekte të tjera të braktisura në rajonin në veri të Kievit po shfaqen në një ekspozitë në një muze të Luftës së Dytë Botërore. Kutitë e xhamit  në ekspozitë mbajnë  shënime personale dhe kartat e ushtarëve rusë të vrarë në vijën e frontit. Pasaportat e tyre tregojnë se sa të rinj ishin.

Më pas, Rama, ministrja Elisa Spiropali dhe Abazoviç janë pritur nga kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, ndërsa më vonë do të takojnë Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.