Raste rekord me COVID, mblidhet sot Komiteti i Ekspertëve për rivlerësim masash

Rastet e infektimeve me koronavirus kanë shënuar shifra rekord në vendin tonë gjatë javës së fundit. Ndaj sot në orën 10:30 do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve anti-COVID. Mjekët pritet të shprehen rreth situatës aktuale të pandemisë në vend ku do të merret vendim nëse do të ketë apo jo ashpërsim të masave. Ndërsa mjekët dhe autoritet bëjnë apel në vaksinimin e popullsisë nga 4 janari administrata publike dhe punonjësit e marketeve dhe qendrave tregtare po paraqiten në punë me vaksinë antiCOVID ose test negativ çdo 5 ditë.

Masat anti-COVID që janë në fuqi:

-​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.

-​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

•​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.

•​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.

•​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

•​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.

•​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

-​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.

-​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

-​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.

Kujtojme se ne 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë me Covid 1905 qytetarë. Ndërkaq u shenuan edhe 6 humbje jete. Në spitalet Covid po marrin trajtim mjekësor aktualisht 117 pacientë, 17 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Në të gjithë vendin janë 16,507 pacientë aktivë me Covid.

Rritje shifrash edhe në SHBA

Ka shkuar mbi 842 mijë numri i viktimave nga COVID-19 në SHBA. Sipas universitetit John Hopkins me 2 mijë e 822 viktimat gjatë 24 orëve të fundit, numri total i vdekjeve shkoi në 842 mijë e 322. Numri i të infektuarve ka arritur në mbi 52,31 milionë, me 755.280 mijë raste të reja. Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri me mbi 6,4 milionë raste të konfirmuara dhe 77.226 të vdekur.

Në SHBA deri më tani më shumë se 247 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 208 milionë amerikanë që kanë marrë dozën e dytë dhe mbi 76 milionë kanë marrë 3 doza të vaksinave anticovid.