Rajoni

Raund i ri i dialogut në Bruksel për çështjen e dinarit serb!

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot ritakohen në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për të diskutuar një zgjidhje mbi çështjen e dinarit serb. Takimet nisin në mëngjes. Fillimisht, i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun zhvillon takime të ndara me Petar Petkoviçin e më pas me Besnik Bislimin. Më vonë, pritet një takim trepalësh, i treti mes kryenegociatorëve dhe i katërti ndërmjet delegacioneve të Kosovës e Serbisë mbi përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

Ditë më parë, Lajçak tha se “synohet gjetja e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës”. Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime edhe në të kaluarën e që kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Raundi i fundit i bisedimeve Bislimi-Petkoviç mbi këtë çështje e me ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë “dallime të mëdha”, ndërsa Petkoviç tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Në raundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar lidhur me propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb. Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u prekur në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës. Por, Petkoviç e cilësoi propozimin serb për dinarin si “të balancuar”. Sipas tij ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.

Me rregulloren e BQK-së, euro caktohet si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës të pezullojë rregulloren, që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re. Ky takim në Bruksel vjen një ditë pasi tensionet mes dy shteteve u rritën sërish. Prishtina akuzoi Beogradin se bllokoi në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë autobusë me udhëtarë nga Kosova e ndaloi zyrtarë shqiptarë e serbë, mes tyre një zëvendësdrejtor i policisë, nga radhët e komunitetit serb.

Prishtina tha se bllokimi i qytetarëve në territorin serb u bë për shkak të votës pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ku synon të anëtarësohet