Showbiz

Reagon menaxheri i “On Records”: “Kush transmeton këngët e djemve do të ndiqet penalisht nga organet e drejtësisë”

Ditën e djeshme u lajmërua se Mozzik dhe Getinjo kanë ndërprerë kontratën e tyre me shtëpinë diskografike “On Records” të cilët i kanë besuar vitet më të mira të karrierës.

Nëpërmjet postimeve në rrjetin social ‘Instagram’ ata kanë treguar se janë trajtuar si instrumente, janë shfrytëzuar, ofenduar dhe kërcënuar nga drejtuesit e tyre. Të gjitha klipet e Mozzik dhe Getinjo të cilat janë pronë e “On Records” janë fshirë nga kanali i “Youtube”.

Menaxheri i kësaj shtëpie diskografike i ka kthyer përgjigje në të njëjtën mënyrë akuzave të dy artistëve ku është shprehur se ata janë larguar pa asnjë arsye. Mehmet Elshani ka zbuluar se ky largim ka qënë i njëanshëm, një tekë e dy reperëve dhe se ata ende kanë detyrime kundrejt “On Records” e për këtë arsye janë hedhur në gjyq.

Ai gjithashtu ka shtuar se çdo projekt i Mozzik dhe Getinjo është pronë e kompanisë dhe transmetimi i tyre në televizion, radio, klube nate apo evente të tjera pa marrë miratim nga “On Records” do të ndiqet penalisht nga organet e drejtësisë. I kontaktuar edhe nga Top Awards, Mehmeti ka kërkuar përjashtimin e këngëve të tyre nga “The Top List”.