Art & Kulturë Film & Tv Ndryshe

Regjisori Redi Treni zbulon se si do të pritet nga publiku filmi ‘Në kuadër të dashurisë’ dhe rrëfen eksperiencën si kameraman personal i Sali Berishës!

I ftuar këtë episod të ‘Ndryshe’ ka qenë i ftuar regjisori, Redi Treni i cili na ka zbuluar më shumë lidhur kinematografinë shqiptare duke iu përgjigjur pyetjeve ‘pikante’ të Salsanos dhe Adit.

Më mirë të jesh regjisor apo aktor?

Regjisor, sepse e shikon gjithë procesin e aktorit nga jashtë, nuk të duhet ta jetosh vetë. Unë për vete e ndiej më komforte të drejtoj një aktor se sa të luaj. Ka mundësi ta zhvillojë më shumë veprën, ka mundësi të fusë shumë gjëra nga vetja që akotori nuk i ka në dorë. 

Filmat më të bukur janë realizuar para viteve ’90 apo pas sipas Redi Trenit?

Nuk e di. Teknikisht po flasim, më parë filmat xhiroheshin me pelikul të skaduar. Ka qenë një teknologji e vjetëruar që kur erdhi. Kanë vlera sigurisht për sa i përket produksionit. Janë filma që nuk bëhen dot më. Sot një film i tillë do kushtonte miliona euro, atëhere bëheshin me shumë pak para, i kishe të gjitha në dispozicion. Sot, shteti shqiptar të jep një pjesë të lekëve që të duhet për filmin, pjesën tjetër duhet ta gjesh me fonde të jashtme. 

Cila është vlera minimale dhe ajo më e larta përafërsisht për të xhiruar një film?

Mbi 800 mijë euro një film i mirë. Kosto reale e një filmi, minimalja është 100 mijë euro, pa paguar aktorë e gjëra të tjera.  

Në pyetjet lidhur me politikën mbi të cilën Redi u shpreh se si artist nuk ka shumë njohuri, regjisori na zbuloi se ka qenë kameramani personal i ish- kryeministrit të vendit, Sali Berisha.

Unë kam qenë kameramani personal i Berishës para 20 vitesh te selia. Ishte koha kur duhet t’u xhironte nga një i partisë. Bëhej një kasetë, shumohej dhe shpërndahej nëpër televizione. Ishte shumë vapë, ishte verë dhe unë po djersitja dhe më ka thënë “hajde këtu mor çun” edhe porosit dy çaj të nxehtë. Unë piva çaj të nxehtë dhe nuk djersitja më. Këtë ma ka mësuar Berisha, kam qenë 16 vjeç. 

Po të jesh regjisor në televizion, si është sipas Redi Trenit?

Ka adrenalinë. ‘Portokallia’ ka shumë adrenalinë, duhet të jesh shumë i shkathët në mënyrën si mendon ‘live’. Po gjëja që ka më shumë adrenalinë janë programet ‘live’. Atë që kam bërë për kohë më të gjatë është ‘Fiksi’ me 1800 seri për 9 vite. 

Sipas Redit a është tregu shqiptar në rritje?

Tregu shqiptar nuk ka si të jetë në rritje, sepse është një treg për kaq banorë sa jemi. Nuk mund të përfitosh aq para sa ke shpenzuar vetëm nga lekët e kinemasë nëpër Shqipëri. 

A do të bëjë namin ‘Në kuadër të dashurisë’, filmi që është një prodhim i Top Channel?

Do bëjë namin, po të ardhurat më të mëdha nuk do t’i ketë nga shqiptarët në Shqipëri, por nga shqiptarët jashtë Shqipërisë. Aty do e ketë pikën më të fortë.