Bota

Rënia kaotike e Kabulit, ish-gjeneralë amerikanë fajësojnë administratën Biden!

Dy gjeneralët kryesorë amerikanë që mbikëqyrën evakuimin nga Afganistani pasi Kabuli ra në duart e talebanëve në gusht 2021, fajësojnë administratën Biden për “tërheqjen kaotike”. Ata u thanë ligjvënësve amerikanë se administrata Biden kishte bërë planifikime jo të përshtatshme për evakuimin dhe se masa nuk ishte urdhëruar në kohë. Dëshmia e rrallë e dy gjeneralëve në pension, për herë të parë nxjerr në skenë tendosjen dhe dallimet që udhëheqësit ushtarakë kishin me administratën e presidentit amerikan gjatë ditëve të fundit të luftës.

Pentagoni pati këshilluar që Shtetet e Bashkuara të mbanin në Afganistan të paktën 2 mijë e 500 ushtarë, për të ruajtur stabilitetin. Një tjetër shqetësim i udhëheqjes ushtarake ishte se Departamenti i Shtetit nuk po vepronte me shpejtësinë e duhur, për të mundësuar fillimin e evakuimit.

Dëshmitë bien ndesh me konkluzionin e një rishikimi të brendshëm të Shtëpisë së Bardhë lidhur me vendimet e administratës. Sipas përfundimeve, vendimet e presidentit Joe Biden ishin “tejet të kufizuara”, si rezultat i marrëveshjeve të mëparshme të tërheqjes të negociuara nga ish-presidenti Donald Trump. Raporti i Shtëpisë së Bardhë fajëson ushtrinë, duke thënë se “komandantët e lartë pohuan se kishin burime të mjaftueshme për evakuimin”.

Trembëdhjetë ushtarë amerikanë u vranë nga një sulm vetëvrasës në aeroportin e Kabulit në ditët e fundit të luftës ndërsa talebanët morën kontrollin e Afganistanit. Paniku mbërtheu mijëra afganë dhe shtetas amerikanë që u përpoqën me dëshpërim të hipnin në avionët ushtarakë amerikanë që po evakuonin njerëzit. Përfundimisht, ushtria amerikane ishte në gjendje të evakuonte 130 mijë civilë përpara se të largohej avioni i fundit nga ai vend.

Gjenerali në pension, Mark Milley, ish-shef i Shtatmadhorisë amerikane dhe gjenerali në pension, Frank McKenzie, ish-drejtues i Komandës Qendrore amerikane, i thanë Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë se “kaosi ishte rezultat i dështimit të Departamentit të Shtetit për të urdhëruar evakuimin e personelit amerikan derisa ishte tepër vonë”.

Më 14 gusht, Departamenti i Shtetit mori vendimin për operacionet e evakuimit të personelit jo-ushtarak e ushtria amerikane u mobilizua dhe u dislokua më shpejt nga sa mund të bënte çdo ushtri tjetër në botë. Por, vendimi i Departamentit të Shtetit u mor shumë vonë.

Gabimi themelor, e meta themelore ishte vonesa e Departamentit të Shtetit. Vendimi u mor shumë ngadalë dhe shumë vonë.

Urdhrat e evakuimit duhet të merren nga Departamenti i Shtetit, por në javët dhe muajt përpara se Kabuli të binte në duart e talebanëve, Pentagoni i kërkoi Departamentit të Shtetit planet e evakuimit dhe kishte shqetësime se Departamenti i Shtetit nuk ishte gati.

Ne kishim forca në rajon që nga 9 korriku, por nuk mund të bënim asgjë. Vonesa e Departamentit të Shtetit ishte e meta fatale që krijoi atë që ndodhi në gusht.

Besoj se ngjarjet e mesit dhe fundit të gushtit 2021 ishin rezultat i drejtpërdrejtë i shtyrjes së fillimit të (evakuimit) për disa muaj, në fakt derisa gjërat shkuan në ekstrem dhe talebanët morën kontrollin e vendit.

Gjenerali Milley, ushtaraku më i lartë i vendit në atë kohë i kishte kërkuar presidentit Joe Biden që të mbante një prezencë ushtarake prej 2,500 ushtarësh, për të mbështetur mjaftueshëm forcat speciale afgane kundër talebanëve dhe për të mundësuar kontrollin e bazës ajrore në Bagram, e cila mund t’i kishte ofruar ushtrisë alternativa shtesë për t’iu përgjigjur sulmeve të talebanëve.

Presidenti Biden nuk e miratoi kërkesën e Milleyt, duke zgjedhur të mbajë një forcë më të vogël prej 650 ushtarësh që do të përqendrohej në sigurimin e ambasadës amerikane. Kjo forcë më e vogël nuk ishte e përshtatshme për të siguruar Bagramin, i cili u pushtua shpejt nga talebanët.

Talebanët kanë kontrolluar Afganistanin që nga evakuimi, çka ka rezultuar në shumë ndryshime dramatike për popullatën, përfshirë humbjen pothuajse totale të të drejtave për gratë dhe vajzat.