Politikë

Replika Tabaku-Rama rreth krizës së çmimeve, kryeministri: Do propozojmë taksim zero për pagat deri në 50 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancën e sotme plenare për t’u përballur me ato që deklaroi më herët gjatë seancës deputetja demokrate Jorida Tabaku rreth raportit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021.

Ndër të tjera, ndërsa fliste për sistemin e taksimit në Shqipëri, Rama tha se qeveria do të propozojë së shpejti që për ata persona që marrin deri në 500 mijë lekë të vjetra pagë, taksimi të jetë zero.

“Zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar as Bechetit dhe askujt tjetër tani që flasim. Ballafaqimi vazhdon…Keqardhje për këtë zonja Tabaku se ju lexoni dhe mbani shumë shënime siç thoni edhe vetë, dhe të flasësh për 385 milionë euro që nuk ekzistojnë është pak si e sikletshme. E kam dëgjuar që ju thonë që ne taksojmë punën më shumë se kapitali. Nuk ka në rajon taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe së shpejti, pas pak ditësh do të sjellim propozimin për të zeruar deri në 500 mijë lekë…”

“Unë di që kur kemi marrë detyrën, të regjistruar në total ishin 349 mijë vetë. Sot janë 707 mijë persona të punësuar të regjistruar nga të cilët 523 mijë janë sektor privat. Si dalin këto llogaritë që këtu paska rënë puna, këtu paska papunësi? Po flasim për shifra të nxjerra nga regjistrat. Po ashtu paga mesatare mujore në sektorin privat është rritur me 10.5% në 3 mujorin e parë të këtij viti. Inflacioni mesatar ishte rreth 4.43. Këto janë shifra meqë ju lexoni ose bëjeni një sakrificë dhe nxirrjani parlamentit burimet e shifrave që nxirrni dhe ne nuk e dimë ku janë. Këto janë faktet e institucioneve”, tha Rama.

Për shkak të rritje s së çmimeve, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku është shprehur se qeveria duhet të kishte rishikuar buxhetin dhe duhet të ofronte një paketë të re rezistence. Nga Kuvendi, ajo tha se i sheh me shumë shqetësim të ardhurat publike.

“Duhet të kishte ardhur me një buxhet të rishikuar, me një paketë të re rezistence, që ne mos të bëjmë fjalime populiste, siç thotë Braçe, duhet të kishim ndryshuar shumë prioritet. Shqipëria po zbrazet dhe kot e keni që thoni që rritet punësimi, se po të ikin shumica e shqiptarëve, socialistët do të punëson. E shoh me shqetësim të ardhurat publike, se sot Rama është, po nesër jo”, tha Tabaku.