Bota

Rregulla anti-COVID, teste shtesë e protesta/Situata në Europë e Amerikë!

Në Itali sot hyjnë në fuqi rregullat e reja anti-COVID që zgjasin deri më 15 janar. Në zonën portokalli, nuk parashikohen kufizime për ata që kanë Super Green pass. Rregullat e qeverisë italiane të përmbledhura në 10 faqe e 13 seksione hedhin dritë mbi disa pika të mbetura pezull. Me detaje, aty shpjegohen aktivitetet e lejuara me Super Green pass, Green pass-in bazë apo pa certifikata të vaksinimit anti-COVID.

Varianti Omicron i koronavirusit vazhdon të shkaktojë frikë në Europë. Qeveria britanike iu kërkon udhëtarëve që para se të udhëtojnë për në Britani, të paraqesin tampon negativ, jo më të vjetër se 48 orë. Nga nesër, kjo vlen për të gjitha moshat nga 12-vjeç e pavarësisht vendit të origjinës apo statusit të vaksinimit. Një tjetër test duhet bërë brenda 48 orëve nga mbërritja në Britani e rezultati të pritet duke qëndruar në karantinë.

E duke mbetur në Europë, nuk ndalen protestat anti-COVID. Në Bruksel, një manifestim mblodhi 8 mijë vetë për të kundërshtuar masat shtrënguese të qeverisë belge. Disa protestues tentuan të çanin kordonin policor e t’i drejtoheshin selive të institucioneve të BE-së. Policia nuk i lejoi e përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Disa persona u arrestuan.

Nga sot, Shtetet e Bashkuara vendosin kufizime të reja në kuadër të luftës kundër pandemisë koronavirus. Të gjithë të huajt e vaksinuar, që në territorin amerikan hyjnë në rrugë ajrore, pra me avionë, duhet të paraqesin test negativ të bërë një ditë më parë. Deri në mars të vitit të ardhshëm, vendosja e maskës në avionë, trena dhe autobusë, përbën detyrim në Amerikë.

Në Shtetet e Bashkuara ku është vaksinuar rreth 60% e popullatës, pandemia koronavirus është rikthyer frikshëm. Infektimet ditore po tejkalojnë shifrën 100 mijë ndërsa vdekjet janë në afro 1 mijë. Ndërkaq, Nju Jork Tajms zbulon se në Amerikë, varianti Omicron ka qenë i pranishëm edhe më përpara se të identifikohej zyrtarisht në Afrikën e Jugut. Deri tani, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vaksinuar me një dozë 100% të popullatës e me nga dy, 90%.