Aktualitet

Rriten aplikimet për azil në BE, Basha: “Shkak korrupsioni!”

Lehtësimi i masave kufizuese anti-COVID dhe hapja e pjesshme e kufijve në verë, rriti numrin e shqiptarëve që aplikojnë për azil. Vetëm në muajin gusht janë regjistruar 1.432 aplikime, një rritje me 46% në raport me korrikun.

Pjesa dërrmuese, prej 1198, për herë të parë dhe 234, riaplikime. Të dhënat i bëri të ditur Zyra Europiane e Azilantëve. Pavarësisht numrit të lartë të aplikimeve, vetëm 10 shqiptarë morën statusin e refugjatit në gusht. Ndërsa në total deri në fund të gushtit u regjistruan 5 mijë e 340 aplikime për azil nga shqiptarët.

Për Lulzim Bashën, “korrupsioni është arsyeja kryesore e ikjes së shqiptarëve”. Në një postim në “Facebook”, kreu demokrat shkruan:

Me përjashtim të një lufte civile, një nga arsyet madhore pse njerëzit largohen nga vendi i tyre është korrupsioni. Rritja e aplikimeve për azil në vendet e Bashkimit Europian dëshmon edhe njëherë se masakra e 25 prillit nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët. Fundi i kësaj katastrofe kombëtare, kërkon një përballje frontale me korrupsionin, duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, që ka shkërmoqur demokracinë dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për familjet shqiptare.

Ndërkohë, përpara nisjes së pandemisë koronavirus, në janar të vitit 2020 numri i aplikimeve ishte 1.122, ndërsa në raport me gushtin e vitit të kaluar regjistrimet e shqiptarëve për të fituar statusin e azilantit janë më shumë se trefishuar. Në gusht të 2020-ës numri i aplikimeve ishte 403, për shkak edhe të kufizimeve që diktoi pandemia COVID-19.