Aktualitet Bota

Rritet sërish numri i të vdekurve në Gaza, 70% e viktimave janë gra dhe fëmijë!

Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 17,177 që nga 7 tetori, tha të enjten Ministria e Shëndetësisë në enklavë, raportojnë mediat e huaja.

“Rreth 70% e viktimave janë fëmijë dhe gra”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë për shtyp.

Ai tha se 46,000 njerëz të tjerë u plagosën në sulmin izraelit në territorin e bllokuar palestinez.

“Të paktën 290 mjekë u vranë, 102 ambulanca u shkatërruan dhe 160 qendra të kujdesit shëndetësor të shënjestruar në sulmet izraelite, ndërsa 20 spitale dhe 46 qendra të kujdesit parësor u detyruan jashtë shërbimit,” tha al-Qudra.

“Ne po përballemi me vështirësi në numërimin e personave që kanë humbur jetën dhe të plagosurve për shkak të sulmeve të vazhdueshme dhe ndërprerjes së komunikimit,” shtoi ai.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me Hamasin.

Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1200 izraelitë, sipas shifrave zyrtare.

Gaza ka mbetur pa rrymë prej fillimit të tetorit, ndërsa Izraeli ka kufizuar skajshëm importin e karburantit, duke i detyruar disa spitale të mbyllen, sepse ato kanë mbetur edhe pa gjeneratorët emergjentë.

Ushtria e Izraelit e akuzon Hamasin se po i përdor civilët si mburoja njerëzore gjatë operacioneve të luftëtarëve të vet në zonat e banimit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të mbajë kontroll të pakufizuar të sigurisë në Rripin e Gazës, megjithëse kjo është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Më shumë se 100 pengje janë u liruan gjatë armëpushimit njëjavor, ndërsa Izraeli i liroi 240 të burgosur palestinezë.