Bota

Rusia arreston zv.ministrin e Mbrojtjes, ja për çfarë dyshohet!

Zv.ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Timur Ivanov u arrestua nën dyshimet për marrje ryshfeti, siç njoftoi  Komiteti Hetues rus. Ky komitet u mjaftua me dhënien e njoftimit për arrestimin e Ivanovit në Telegram, por nuk dha hollësi të tjera. Ndërkaq, kujtojmë se 49-vjeçari ka qenë objekt i një hetimi të publikuar në dhjetor të vitit 2022 nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i të ndjerit Alexei Navalny (FBK).

Sipas FBK-së, Ivanovi pati udhëhequr, si dhe përfitoi nga projektet e ndërtimit në qytetin ukrainas Mariupol, i cili u shkatërrua pothuajse tërësisht nga forcat ruse në muajt e parë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, pushtim që vijon prej më shumë se dy vitesh tashmë.

Hetimi doli në konkluzionin se Ivanovi dhe bashkëshortja e tij, Svetlana kanë shpenzuar masivisht për luksin e tyre. Më shumë se një milion euro për pushime, si dhe në qira për vila e lundrime me jahte krahas blerjes së veshjeve e aksesorëve të tjerë. Po ashtu, u zbulua se faturat personale të gruas së Ivanovit ishin paguar nga një kompani e lidhur me rindërtimin në Mariupol.

Fondacioni Navalny, i ndaluar në Rusi mbi bazën e pretendimeve të pabazuara për ekstremizëm, ndër të tjera arriti të zbulonte se zëvendësministri u shkurorëzua nga bashkëshortja në mënyrë që kjo e fundit të shmangte sanksionet e Bashkimit Europian.

Sot është një ditë e mirë, tha Maria Pevchikh, e cila drejtoi hetimin e kryer në fondacionin FBK. Njeriu i përfshirë në hetimin tonë u ndalua pas dyshimeve për korrupsion. Në folëm për jetën luksoze të zëvendësministrit të Mbrojtjes, Timur Ivanov që në vitin 2022.

Zyrtarja Pevchikh reagoi në një postim në X. Ivanov ishte emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes me urdhër presidencial në maj të vitit 2016. Ky zyrtar është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Britania e Madhe, si dhe Kanadaja. Revista Forbes e kishte shpallur Ivanovin si njërin nga burrat më të pasur në strukturat ruse të sigurisë.

Siguria është shumë e rëndësishme në Rusi në këto kohë lufte me Ukrainën e që vijon prej më shumë se dy vitesh tashmë, prej muajit shkurt 2022. Por, Moska e quan “operacion special ushtarak”, jo luftë.