Aktualitet

Sali Berisha në “Arrest shtëpie”, avokati Gjokutaj: Shqetësues ndalimi i komunikimit!

Pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e SPAK-ut për zëvendësimin e “Detyrimit për paraqitje” me “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore për Sali Berishën, reagoi Genc Gjokutaj, avokati i ish-kryeministrit. Gjokutaj tha se “është shqetësuese që ky vendim shoqërohet me ndalim të komunikimit”.

Përfundimisht, gjykata pranoi kërkesën e SPAK-ut, ndryshoi masën e sigurimit. Përfundimisht mbeten dy masa sigurimi: Arrest në shtëpi dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, që në fakt janë nonsens, sepse këtë pjesë e ezauron dhe ndalimi i daljes shtetit.

Faktikisht, ne kërkesën e kemi depozituar dje në postë, pasi ikte afati dhe nuk kishim setin e provave. Gjykata nuk u shpreh fare me vendim për ta pranuar ose jo. Ndërkohë që kërkesa ishte duke ardhur, e shpalli vendimin.

Sigurisht në panik për përjashtimin e saj (gjyqtares). Ky ishte vendimi sot. Ajo që është shqetësuese është se ky vendim shoqërohet me ndalimin e komunikimit. Për një deputet të Shqipërisë, që komunikimin e ka detyrë funksionale dhe lirinë e shprehjes, që është liri kushtetuese për të cilën SPAK duhej të merrte autorizim të veçantë nga Kuvendi i Shqipërisë, që të kryente këtë veprim.

-A do t’i ndalohet Berishës edhe komunikimi në rrjetet sociale?

Gjokutaj: Vendimi ishte i thatë: “Ndalim i komunikimit përveç personave të familjes”.

-A keni folur me z. Berisha, a do ta zbatojë këtë vendim apo jo?

Gjokutaj: Kjo nuk është pyetje. Ai ndodhet në banesë, kështu që ne do të ndjekim rrugën e ankimit sipas ligjit, brenda afatit ligjor.

Gjokutaj shtoi se “kjo është ekstraligjore, sepse asnjëherë arresti i shtëpisë nuk shoqërohet me mbikëqyrje policore”.

GJKKO-ja konfirmoi masën e kërkuar nga SPAK-u, duke caktuar “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore për ish-kryeministrin Sali Berisha, në hetim për privatizimin e klubit sportiv Partizani. Në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij në Njësinë Administrative nr. 2 në Tiranë, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të, në të njëjtën banesë.

Për ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së ndaj Berishës ngarkohet Prokuroria e Posaçme, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Po ashtu, SPAK-u e shërbimet e Policisë Gjyqësore duhet të kontrollojnë mbikëqyrjen e zbatimit të masës “Arrest në shtëpi”. Brenda 5 ditëve, ky vendim mund të ankimohet në Apelin e Posaçëm.

Reagoi edhe Shkëlzen Berisha. Djali i ish-kryeministrit shkruan:

Kartolina e Ramës për Vitin e Ri është arrestimi dhe izolimi i liderit të opozitës!