Aktualitet

Samiti i 6 dhjetorit dhe protesta e opozitës, Ambasada Amerikane: Shmangni grumbullimet e mëdha!

Ndërsa opozita nuk tërhiqet nga protesta e 6 dhjetorit, ditën kur Tirana do të blindohet nga masat e sigurisë për shkak të samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, reagon ambasada e Shteteve të Bashkuara. Përmes një deklarate, selia e Uashingtonit në vendin tonë këshillon qytetarët amerikanë, të bëjnë kujdes të martën e ardhshme.

Për shkak të masave të marra në mbështetje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë të martën, pritet mbyllje e rrugëve dhe devijime të trafikut përgjatë gjithë ditës në qendër të kryeqytetit dhe në Unazë. Ambasada është në dijeni se mund të ketë një tubim në qendër të Tiranës. Protestat kanë potencialin të përhapen dhe në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje shtesë të rrugëve.

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin grumbullimet e mëdha. Edhe pse shumë evente masive zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Po sot, për zhvillimet e 6 dhjetorit doli në një konferencë shtypi, kreu i Policisë së Shtetit. Muhamet Rrumbullaku foli për një plan të detajuar masash e theksoi se nuk refuzojnë protestat, por se siguria është prioritare.

Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike të një grupi protestuesish.

Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar. Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta.

Rrugët që do të bllokohen janë: “Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium; Rruga “Dervish Hima”; Rruga “Asim Zeneli”; Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”. Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor; “Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë.