Rajoni

Samiti i Demokracisë në Malin e Zi, pjesëmarrësit thirrje për kujdes kundër destabilizimit rajonal!

Pjesëmarrësit e Samitit të Demokracisë së Europës Juglindore, dënuan ashpër pushtimin rus në Ukrainë dhe thanë se “nevojitet kujdes për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”. Në samitin me temë “Lufta në Europë: Ndikimi në Ballkan”, në Malin e Zi, marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ai i Britanisë, Stuart Peach dhe po ashtu do të mbajë një fjalim, Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për rajonin.

Peach akuzoi Rusinë për synime destruktive.

Ne duhet të jemi të gatshëm për të reaguar. Askush nuk mund të jetë i qetë në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe as t’i injorojë ato. Jemi të ndjeshëm ndaj faktit se lufta në Ukrainë u parapri nga të tjera luftëra në Europë.

I pyetur nëse është realiste të pritet që pas bisedimeve dhe marrëveshjes së djeshme Vuçiç-Putin për furnizimin e Serbisë me gazin rus, Beogradi të harmonizojë politikën e jashtme me BE-në, Mirosllav Lajçak deklaroi:

Bashkimi Europian e sheh rajonin përmes pranimit e harmonizimit me normat dhe vlerat europiane, duke përfshirë politikën e jashtme e sanksionet. Këtë presim nga të gjitha shtetet anëtare. Çdo vend në Ballkan e di se cilat janë pritshmëritë lidhur me këtë pjesë. Veprimet konkrete do t’i marrim parasysh kur të sjellim vendimin për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilit vend që bën pjesë në të. Gjithashtu, ne do të marrim parasysh veprime konkrete kur të vendosim për të ardhmen e Ballkanit dhe çdo shteti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përsëriti solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës dhe tha se “ekziston frika e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Eshtë i nevojshëm veprimi i përbashkët në ditët dhe vitet në vijim. Eshtë e rëndësishme që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të respektojnë sanksionet e Bashkimit Europian e të tjera veprime që i ndërmarrin partnerët tanë. Jo të gjitha vendet në rajon na janë bashkuar!