Bota

Sekretari britanik kërkon që nxënësve në shkolla t’i ndalohet përdorimi i telefonave celularë!

Në Britaninë e Madhe një sekretar i Ministrisë së Arsimit ka propozuar që të ndalohet përdorimi i aparateve celularë gjatë kohës që fëmijët ndodhen në shkollë, pasi mendohet se ato janë shpërqëndruese dhe dëmtojnë shëndetin e tyre.

Pikëpyetja më e madhe e shekullit 21-një, është lidhur me teknologjinë dhe pasojat e saj tek fëmijët? Dilema më e madhe e prindërve dhe mësuesve është: A ndikon teknologjia më tepër pozitivisht tek fëmijët, apo negativisht?

Sekretari i Arsimit, Gavin Williamson është shprehur se telefonat celularë janë shpërqendrues dhe nëse keqpërdoren ose përdoren shumë, ato mund të kenë një efekt të dëmshëm në shëndetin mendor dhe mirëqenien e tyre.

Telefonat celularë nuk janë thjesht shpërqendrues, por kur keqpërdoren ose përdoren shumë, ato mund të kenë një efekt të dëmshëm në shëndetin mendor dhe mirëqenien e një nxënësi. Unë dua t’i jap fund kësaj, duke e bërë ditën e shkollës pa celular, -tha sekretari.

Lidhur me këtë propozim kanë reaguar drejtorët e shkollave dhe sindikatat e mësimdhënies, duke thënë se për këtë çështje duhet shkolla të ketë autonominë e saj për vendimmarrjen.

Sekretari mbështet këtë propozim me argumentin se nxënësit duhet t’i rikthehen jetës studentore, pas periudhës së gjatë të ndërprerjes nga pandemia në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të shkëlqejnë sa më shumë me mbështetjen e mësuesve.

Në mënyrë që ne të ndihmojmë nxënësit të kapërcejnë sfidat nga pandemia, ne duhet të sigurohemi që ata të mund të përfitojnë nga klasat e qeta të cilat i mbështesin ata të lulëzojnë, -shprehet ai.

Megjithatë, ky mbetet ende një propozim i cili pritet të kalojë shumë faza përpara se të miratohet.