Bota

SHBA-Britani sulme anti-Houthi në Jemen/Grupi i armatosur: Do të përgjigjemi!

Vazhdon e ashpër lufta në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit e sot hyri në ditën e 121-të. Ndërkaq, nuk ndalen as Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe me sulmet ndaj rebelëve Houthi në Jemen. Këta të fundit janë kthyer në shqetësim për tregtinë botërore me goditjet ndaj anijeve në Detin e Kuq, siç shprehen, në shenjë mbështetjeje për palestinezët në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të përbashkët, Uashingtoni dhe Londra zyrtare bëjnë të ditur se kanë goditur “dhjetëra objektiva të militantëve Houthi” dhe nënvizojnë se qëllimi i sulmeve është “kthimi i paqes”.

Agresioni amerikano-britanik kundër Jemenit nuk do të mbetet pa përgjigje dhe ne do të përballemi me përshkallëzim, tha Mohammed al-Bukhaiti, një anëtar i Byrosë Politike të Houth-ëve.

Rebelët Houthi: Ne do t’i përgjigjemi agresionit të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe

Bombardimi nga koalicioni britaniko-amerikan i një numri provincash të Jemenit nuk do të ndryshojë pozicionin tonë. Operacionet tona ushtarake kundër Izraelit do të vazhdojnë derisa të ndalen krimet e gjenocidit në Gaza dhe të hiqet rrethimi, pavarësisht sa duhet që të kushtojë çdo sakrificë.

Ishin këto fjalët e Mohammed al-Bukhaitit, një anëtar i Byrosë Politike të rebelëve Houthi, i cili në një postim në platformën X theksoi se “agresioni amerikano-britanik kundër Jemenit nuk do të mbetet pa përgjigje dhe ne do të përshkallëzojmë me përshkallëzim”.

Sulmi i SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Sanaa: Goditen dhjetëra objektiva

Mediat e lidhura me rebelët Houthi raportuan me detaje se kryeqyteti i Jemenit Sanaa ishte në shënjestër të sulmeve amerikano-britanike. Goditjet u konfirmuan nga Amerika, si dhe Britania e Madhe, të cilat thanë se kanë goditur “dhjetëra objektiva” të Houth-ëve në Jemen. Në deklaratën e përbashkët thuhet:

Shënjestruam 36 objektiva të rebelëve Houthi në 13 lokacione në Jemen dhe kjo në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme kundër anijeve tregtare dhe ndërkombëtare, si dhe anijeve ushtarake që kalojnë tranzit në Detin e Kuq.

Amerika godet gjashtë raketa anti-anije Houthi

Shtetet e Bashkuara nuk janë kursyer e kanë goditur edhe gjashtë raketa kundër anijeve të lëshuara nga rebelët Houthi në brigjet e Jemenit. Komanda Qendrore, Centcom, e raporton këtë në një postim në platformën X.