Sport

SHBA/ Luiza Gega kualifikohet në finalen e Botërorit të Atletikës!

Luiza Gega kualifikohet për në garën finale të 3000 metrave me pengesa të botërorit të atletikës. Në Shtetet e Bashkuara në Oregon është duke u zhvilluar edicioni i 18 i kampionatit botëror të atletikës dhe 33-vjecarja dibrane është sportistja e vetme e përfaqësueses shqiptare në këtë aktivitet, që për hir të së vërtetës duhej të ishte mbajtur një vit më parë në gjysmën e parë të muajit gusht, por gjithçka u shty për arsye të frikës së përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit. Atletja e mirënjohur shqiptare zhvilloi një garë të shkëlqyer, duke merituar fjalë vërtet shumë të mira.

Ky botëror është duke u zhvilluar në Eugene, në Hayward Field, pra pikërisht stadiumin që zakonisht pret edhe garat e famshme “trials” ku atletët amerikanë masin forcat përpara kompeticioneve madhore. Luiza Gega këtë radhë merr pjesë vetëm në garën e vështirë të 3.000 metrave me pengesa dhe atletja më e mirë shqiptare për momentin konfirmoi përsëri formën e saj shumë të mirë. Fillimisht në Eugene u zhvilluan garat eliminatore të kësaj disipline, më saktë tre të tilla dhe Luiza Gega ishte listuar në baterinë e dytë eliminatore, me rivale shumë të forta si Alice Finot, Mekides Abebe, Courtney Ëayment Frerichs, Peruth Chemutai, Aimee Pratt apo dhe Gesa Felicitas Krause, që në botërorin e fundit tre vjet më parë në Doha të Katarit e mbylli aventurën e saj në podium, me medaljen e bronztë.

Kriteret e kualifikimit ishin pak a shumë njësoj, pasi përveç tre atleteve të para për çdo bateri do të fitonin të drejtën për të marrë pjesë në garën e mesjavës së ardhshme gjithashtu edhe sportistet me gjashtë kohët e tjera më të mira. Luiza iu përmbajt strategjisë së saj duke zhvilluar një garë të kontrolluar për të shpërthyer pikërisht në pjesën përmbyllëse dhe djegur madje në metrat e fundit edhe atleten vendase, që kishte gjithë përkrahjen e publikut.

Në mbyllje Gega u rendit e treta në klasifikimin e baterisë së saj, duke e ndalur kronometrin në kohën 9’14”91. Një kohë vërtet tepër e respektueshme, duke pasur parasysh që koha e kualifikimit për në garën finale të botërorit amerikan është vetëm 0,62” larg rekordit tonë kombëtar, që u vendos prej saj vetëm disa javë më parë në edicionin e 19 të Lojërave Mesdhetare në Algjeri. Në Qytetin e Oranit sportistja dibrane fiksoi kohën 9’14”29, e përvec se pluhurosi kohën e saj të mëparshme duke hyrë akoma më thellë në historinë e atletikës shqiptare të kësaj disipline ajo gjithashtu vendosi edhe një rekord të ri për sa i përket Lojërave Mesdhetare. Vlen të kujtohet gjithashtu fakti që përvec medaljes së artë në Lojërat Mesdhetare të Oranit në 3.000 metra me pengesa Luiza Gega e fitoi garën me plot 15” avantazh kundrejt tunizianes Marëa Bouzayani që u pozicionua në vendin e dytë dhe 18” epërsi ndaj athletes nga Maroku Ikram Ouaaziz.

Përsa i përket garës së saj në Eugene Luiza i mbylli shtatë rrotullime e gjysmë me pengesa përreth pistës së Stadiumit Hayëard Field pothuajse me vetëm gjysmë sekonde larg vendit të parë. Bateria e saj u fitua nga francezja Alice Finot me kohën 9’14”34, që la prapa për 0,49” sportisten nga Etiopia Mekides Abebe. Më pas me radhë u pozicionuan nga vendi I katërt e poshtë atletja nga Shtetet e Bashkuara Courtney Ëayment Frerichs, që humbi kualifikimin e drejtpërdrejtë për vetëm 0,04”, ugandezja Peruth Chemutai, Aimee Pratt që vendosi një rekord të ri për atletikën britanike si dhe dy rivalet e tjera, atletja gjermane Gesa Felicitas Krause dhe sportistja australiane Amy Cashin.

28-vjecarja ishte tepër e pafat, teksa nuk ia doli dot të përfitonte nga kohët kualifikuese, ndonëse bateria e dytë ishte vërtet tepër e shpejtë. Aq e shpejtë ishte kjo bateri sa katër nga gjashtë kohët e “ripeshkuara” për në finalen e madhe I përkasin pikërisht kësaj baterie. Në botërorin e fundit në Khalifa International Stadium të Katarit Gega ishte gjithashtu në finalen e kësaj disipline, ku gara u fitua nga atletja e famshme keniane Beatrice Chepkoech, ndërsa në podium u ngjitën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë sportistja amerikane Emma Coburn bashkë me gjermanen Gesa Felicitas Krause, ndërkaq Luiza asokohe e përfundoi garën e saj në pozicionin e nëntë, me kohën 9’19”93, një tjetër rekord kombëtar për atletikën shqiptare.

Gara finale e botërorit amerikan të 3.000 metrave me pengesa do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme dhe në të do të marrin pjesë pra 15 sportiste gjithsej, garë ku atletja e famshme shqiptare e “mbretëreshës së sporteve” siguroi kualifikimin falë kohës së gjashtë më të mirë të kësaj disipline.