Bota

Amerika pezullon furnizimin e Izraelit me bomba, shkak u bë Rafahu!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën vendim për të pezulluar furnizimin e Izraelit me bomba dhe kjo për shkak të shqetësimeve të lidhura me faktin se shteti hebraik kishte vendosur të pushtonte qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah. Kjo u bë e ditur nga një zyrtar i lartë amerikan.

Dërgesa e pezulluar përmbante bomba prej 900 dhe 225 kilogramësh, sipas këtij zyrtari, i cili nuk pranoi që të identifikohej. Shqetësimi i Shteteve të Bashkuara ishin këto bomba të mëdha dhe se si Izraeli do t’i përdorte ato në vendbanime me popullsi të dendur.

Izraeli nuk i ka “adresuar plotësisht” shqetësimet amerikane në lidhje me nevojat humanitare të civilëve në Gaza, referuar deklaratave të zyrtarit amerikan.

Më shumë se 1 milion civilë janë strehuar në Rafah, pasi kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës në luftën që Izraeli po e zhvillon kundër Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Siç dihet, Uashingtoni i ka dhënë Izraelit një ndihmë jashtëzakonisht të madhe ushtarake e kjo ka ndodhur historikisht. Ndihma në fjalë është rritur dukshëm pas sulmit që Hamasi kreu në jug të territorit të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë.

Pezullimi i furnizimit me bomba është treguesi më i madh deri tani i rritjes së mospajtimeve mes qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, e cila i ka bërë thirrje Izraelit të bëjë shumë më shumë për t’i mbrojtur jetët e civilëve të pafajshëm në Gaza.

Një ditë më parë, trupat izraelite morën nën kontroll pikëkalimin kufitar kryesor në Rafah. Këtë zhvillim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshkruan si një operacion të kufizuar që nuk ishte pushtim i plotë i Rafahut nga Izraeli, pasi Biden-i vazhdimisht i ka bërë thirrje Netanyahut, të mos e bëjë një gjë të tillë.

Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza që nga koha kur Izraeli nisi luftën në enklavën palestineze tetorin e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë e që drejtohet nga zyrtarë të Hamasit palestinez.