Bota

SHBA/ Senati konfirmon emërimin e Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme

Konservatorja Amy Coney Barret është anëtarja e re e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Një javë para presidencialeve të 3 Nëntorit, e përzgjedhura e presidentit Trump mori OK-ein e republikanëve të Senatit dhe bëri betimin në Shtëpinë e Bardhë. Emërimi i saj përbën fitore të madhe për Trump-in duke blinduar gjykatën me një maxhorancë konservatore, me 6 nga 9 anëtarë që nuk kanë mandat të kufizuar. Barret u zotua të punojë në mënyrë të pavarur nga politika por demokratët dyshojnë.

Anëtarja e re e Gjykatës së Lartë Barrett bëri dy betimet e para që i duhen për t’u bashkuar zyrtarisht në gjykatë. Gjyqtari Clarence Thomas, anëtari më jetëgjatë i gjykatës, lexoi betimin ndërsa Barret mbajti dorën e djathtë lartë dhe e vendosi të majtën në një Bibël. Betimi i dytë do të administrohet privatisht nga Kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, më 27 tetor. Votimi në Senat kaloi me me 52 vota për dhe 48 kundër.  Ata ishin kundër kandidaturës së 48-vjeçares, nënë e 7 fëmijëve, dy prej të cilëve të adoptuar.