Bota

Shkarraviti në murin e Koloseut të lashtë të Romës, turisti i cili rrezikon deri në 5 vjet burg vjen me një falje publike!

Një video që tregonte një turist duke gërvishtur në murin e Koloseut të lashtë të Romës emrin e tij dhe të të dashurës, qarkulloi së fundmi në rrjetet sociale dhe u bë virale. “Ivan + Hayley 23” shkruajti turisti në mur duke përdorur çelës, ndërsa një kalimtar i rastësishëm e filmoi dhe e postoi videon online.

Turisti bullgar me banim në Britaninë e Madhe së fundmi ka kërkuar falje nëpërmjet një letre. “E pranoj me turpin më të thellë se vetëm pas asaj që fatkeqësisht ndodhi, mësova për lashtësinë e monumentit. I vetëdijshëm për seriozitetin e veprës së kryer, me këto rreshta, dëshiroj t’u drejtoj faljen time më të sinqertë italianëve dhe mbarë botës për dëmin e shkaktuar ndaj një pasurie që në fakt është trashëgimia e gjithë njerëzimit”-ka shkruar Dimitrov në një letër drejtuar prokurorisë së Romës dhe kryetarit Roberto Gualtieri. I riu përballet me një dënim deri në 5 vjet burg dhe gjobë prej 16.000 dollarësh për këtë akt.