Aktualitet

Shkrumbohet banesa në Bubullimë të Lushnjës, humb jetën i moshuari!

Tragjedi në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Në orët e para të mëngjesit, një banesë u përfshi nga flakët, humbi jetën një i moshuar. Viktima i moshës 82-vjeç, i identifikuar si shtetasi Koli Koçi jetonte me bashkëshorten, e cila për fat të mirë arriti të mbijetojë. Paraprakisht dyshohet se zjarri u shkaktua nga soba e drunjve, por grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.

Një banesë është përfshirë nga flakët gjatë orëve të natës në Lushnjë, ku për pasojë ka humbur jetën një i moshuar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bubullimë, ku ka marrë flakë një banesë e vjetër në të cilën jetonte çifti i moshuar.

Si pasojë e zjarrit ka ndërruar jetë 82-vjeçari Koli Koçi, ndërsa bashkëshortja e tij ka mbijetuar. Paraprakisht dyshohet se ka qenë soba e drunjve që ka shkaktuar zjarrin ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes.

Banorët e fshatit Bubullimë pretendojnë se zjarri që i mori jetën fqinjit u shkaktua nga një shkëndijë elektrike.

Unë pashë flakë në orën 02:30-03:00. Jetonin të dy vetëm prej vitesh. Ishte djegur dhoma e tyre. Të shoqen e tij e kishte kapur trau. E kemi tërhequr ne nga trau. Zjarri ka rënë nga korrenti. Ata nuk kishin asgjë, edhe për të veshur unë u jepja rrobat e mia.

Gjynah, më erdhi keq. Jetonin vetëm të dy, pa njeri. Shkëndija do u ketë rënë. Ka probleme energjia elektrike.

Kreu i Zjarrfikëses, Xhezmi Metushi thotë që zjarri mund të jetë shkaktuar nga soba e drunjve.

Njoftimin e kemi marrë rreth orës 03:40 të mëngjesit. Erdhëm në vendngjarje, në banesë ishin dy persona, Koli Koçi u gjend i pajetë në banesë. Zjarri mund të ketë ardhur edhe nga soba, të cilën e gjetëm ndezur. Ne luftuam me flakët, edhe njoftimi ka ardhur me vonesë nga banorët.