Aktualitet

Zjarri në Urgjencë, drejtoresha e QSUT: Një defekt në një dhomë teknike, dëm i kufizuar!

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare, Albana Fico ka deklaruar se asnjë pacient nuk ka mbetur i lënduar nga zjarri i rënë në katin -1 të urgjencës.

Në një prononcim për mediet, Fico është shprehur se shkaku i zjarrit në QSUT, ka qenë defekti në një dhomë teknike, mirëpo godina ka standarde sigurie kështu që pacientët nuk janë të afektuar nga situata. Sipas kryemjekes, të gjithë pacientët janë zhvendosur në ambiente të tjera të QSUT dhe po vazhdohet normalisht me trajtimin e tyre.

“Të gjithë pacientët në katin e sipërm që i takon edhe urgjencës, janë të sistemuar dhe ndiqen nga trupa  urgjencës dhe shërbimet përkatëse pranë QSUT. S’ka pasur asnjë humbje jete dhe asnjë lloj përkeqësimi. Ka akoma një sinjal teknik alarmi që tregon se kjo ndërtesë ka elementë të lartë sigurie që bën të mundur që pacientët të jenë të sigurt.

Ka qenë një defekt në një dhomë teknike që po monitorohet. Grupi teknik së bashku me mirëmbajtjen e QSUT ka në kontroll çdo lloj elementi. Është një dëm i kufizuar në vetëm një dhomë teknike. S’ka prekur asgjë tjetër. Ka probleme në pajisjet e imazherisë? Jo, absolutisht jo“– tha Fico, duke shtuar se të gjitha rastet e urgjencës do të trajtohen nga Trauma dhe Shefqet Ndroqi.

“Spitali qendror trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masat e tyre. Kemi pacientë të cilët, për sigurie më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT. Nuk ka ndryshim të parametrave të tyre, po trajtohen. Të mos harrojmë që QSUT ka planin e emergjencës. Gjëja më kryesore menjëherë pas adresimit të momentit të parë, ka qenë edhe riorganizmi. Menjëherë u bë një mbledhje blic ku u piketuan gjithë hapat e tjerë. Kemi vijuar të ndajmë shërbime urgjence me Traumën dhe Shefqet Ndroqin, do të devijohen urgjencat në këto dy spitale”, u shpreh Fico.

Drejtoresha e QSUT-së theksoi se flakët janë evidentuar fillimisht nga stafi i spitalit. “Kanë qenë njerëzit tanë të monitorimit“, u shpreh ajo.