Aktualitet

Shpërthim tritoli pranë zonës së ish-Bllokut në një zyrë noterie! (FOTO)

Në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në rrugën “Perlat Rexhepi” dhe raportohet se lënda plasëse ishte vendosur në derën e noterisë në pronësi të shtetases E. Dauti. Fasa e noterisë në pronësi të E. Dautit sipas raporotimeve është dëmtuar krejtësisht.

Nga shpërthimi janë dëmtuar gjithashtu bizneset ngjitur dhe një makinë. Noterja ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Dyshimet e hetuesve janë për shkak të detyrës, por ende nuk është konfirmuar asgjë.

“Nuk kam probleme me njeri, nuk kam konflikte”, tha noterja para grupit hetimor.

Ende nuk dihen autorët e vendosjes së tritolit.

‘Më datë 30.01.2024, rreth orës 04:10, është marrë njoftim se në rrugën “Perlat Rexhepi”, në ambientet e jashtme të një noterie, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.’– njofton policia.

Në vendngjarje shkoi policia dhe nisi hetimet për të zbardhur shkaqet dhe për të identifikuar autorin e vendosjes së lëndës plasëse.

Zyra noteriale në Tiranë ka pasur edhe kamera, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.