Bota

Shpërthime në një bazë ushtarake në Krime!

Një seri shpërthimesh u dëgjuan gjatë natës në zonën ku gjendet një bazë ajrore ushtarake në qytetin Zhankoj në veri të rajonit ukrainas të Krimesë. Kanali Astra në Telegram publikoi disa video të regjistruara nga banorët vendas. Aty shfaqeshin flakë të mëdha dhe shtëllunga tymi e që përkonin me zonën ku raportohet se gjendet baza ajrore. Këto raportime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Autoritetet ruse në Krime nuk kanë komentuar menjëherë për këto raportime. Në Zhankoj gjendet një bazë ajrore ushtarake ku janë të stacionuar regjimenti i helikopterëve i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe tre skuadra aviacioni. Në mënyrë të paligjshme, Rusia e aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Raportimet për shpërthime në Krime vijnë në kohën kur në rajonet ukrainase të Kievit, Çernihivit, Sumit, Çerkasit e Potlavës ranë sirenat paralajmëruese për sulme ajrore ditën e sotme. Pak kohë pas rënies së tyre, forcat ajrore thanë se nga sulmet ajrore ka rrezik edhe në rajonet e Zhitomirit, Vinitsjas, Kirovoradit dhe Hersonit.

Në mënyrë drastike, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve ajrore. Lufta e nisur nga Rusia tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

Në janar të këtij viti, forcat ajrore ukrainase njoftuan se shkatërruan një qendër komanduese ruse në bazën ajrore Saki, në Gadishullin e pushtuar të Krimesë.

Që kur Moska nisi pushtimin brutal të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, forcat ukrainase shpesh kanë kryer sulme ndaj objektivave ushtarake ruse në Krime, gadishull që u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.

Baza ajrore Saki u bë kryelajm shtatorin e vitit të kaluar pasi Ukraina tha se ushtria e saj e kishte goditur duke shkaktuar “dëme serioze” të pajisjeve që gjendeshin në bazë. Por, zyrtarët e vendosur nga Moska në Krime mohuan këto pretendime të Kievit.

Gushtin e vitit 2022, baza ishte objektiv i sulmeve ajrore ukrainase, me Kievin që pretendoi se kishte shkatërruar të paktën nëntë avionë ushtarakë, përfshirë avionët luftarakë të llojeve Su-30SM dhe Su-24M. Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, i patën përshkallëzuar sulmet në janar kur lufta po i afrohej përvjetorit të dytë.