Botë e Çuditshme Tech

Shpresë për energji të pastër, goditet me lazer një kapsulë e vogël diamanti!

Shkencëtarët në Impiantin Kombëtar të Kalifornisë goditën me lazer një kapsulë të vogël diamanti. Kjo kapsulë sintetike me madhësi sa një kokërr piperi, përmban karburant. Eksperimente të tilla ishin bërë edhe më parë, por këtë herë energjia që u prodhua ishte më e fuqishme se e lazerit. Ekspertët janë përpjekur me dekada të tëra për të arritur në këtë pikë. Shpresa është që një ditë të ndërtohen termocentrale të cilat do të përdorin një reaksion shkrirjeje për të gjeneruar energji elektrike pa karbon.

Vetitë e kapsulës sferike janë vendimtare për krijimin e një eksperimenti të suksesshëm. Ajo duhet të jetë krejtësisht e lëmuar dhe pa ndotës, pasi çdo anomali mund të prishë reagimin. Sferat janë rezultat i punës shumëvjeçare të Diamond Materials, një kompani me bazë në Freiburg, Gjermani. Christoph Wild, drejtor i Diamond Materials tha se:

Kërkesat për kapsulat sferike janë shumë të larta. Ne përpiqemi të minimizojmë defektet si papastërtitë, zgavrat ose muret e pabarabarta të tyre. Ekipi prej 25 personash prodhon diamante sintetike përmes një procesi të quajtur depozitimi kimik i avullit.

Duhen rreth dy muaj për të krijuar një grup prej 20-40 kapsulash. Kur kapsulat e diamantit mbërrijnë në Kaliforni, bërthama e silikonit hiqet dhe një tub i vogël qelqi përdoret për të mbushur sferën e zbrazët me deuterium dhe tritium, dy lloje të rënda hidrogjeni, që nxisin reaksionin e shkrirjes. Shtresa e tretë dhe e fundit e kapsulës është një cilindër alumini që përdoret për të ftohur përmbajtjen e kapsulës përpara reaksionit.

Pas eksperimentit të suksesshëm, hapi i mëtejshëm i Impiantit të Kalifornisë dhe partnerëve të saj do të jetë përmirësimi i teknologjisë dhe investimi në kërkime shkencore. Këto do të jenë të nevojshme për të kapërcyer sfidat e konsiderueshme inxhinierike me të cilat përballet ndërtimi i një termocentrali funksional, por gjithashtu edhe gjetja e materialeve që mund të përballojnë energjinë e lartë të emetuar nga procesi i shkrirjes.