Bota Tech

Shqetësimet për inteligjencën artificiale, Shtëpia e Bardhë kërkon mbrojtjen e njerëzve!

Shefat e teknologjisë janë thirrur në Shtëpinë e Bardhë ku në një takim u këshilluan që t’i mbrojnë njerëzit nga rreziqet e inteligjencës artificiale. Sipas njoftimit zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Sundar Pichai nga Google, Satya Nadella nga Microsoft e Sam Altmann nga OpenAI e kanë detyrim moral që ta mbrojnë shoqërinë”.

Produktet e Inteligjencës Artificiale si ChatGPT dhe Bard, të vëna në funksion kohët e fundit kanë rrëmbyer imagjinatën e publikut. Përdoruesve të zakonshëm, ato u ofrojnë mundësi për të bashkëvepruar me atë që njihet si “inteligjencë artificiale gjeneruese”, e cila mund të përmbledhë informacione nga burime të shumta brenda sekondave, të shkruajë prezantime e madje edhe poezi që në mënyrë të besueshme, tingëllojnë sikur të jenë shkruar nga njerëz.

Drejtuesve të teknologjisë, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë iu tha se u takon kompanive që “të garantojnë sigurinë e produkteve të tyre”. Po ashtu, ata u paralajmëruan se administrata e presidentit Joe Biden është e hapur ndaj rregulloreve dhe legjislacionit të ri për të mbuluar inteligjencën artificiale.

Sam Altmann, shefi ekzekutiv i OpenAI, kompanisë që qëndron pas ChatGPT-it iu tha gazetarëve se sa i përket rregullores, liderët në fushën e teknologjisë “kanë ndarë të njëjtin mendim për atë që duhet të ndodhë”. Altmann nuk ka ofruar më shumë detaje.

Pas takimit, zëvendëspresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris vuri në dukje se teknologjia e re mund të përbëjë rrezik për sigurinë, privatësinë dhe të drejtat civile, ndonëse sipas saj, ka potencial edhe për ta përmirësuar jetën.

Sektori privat ka përgjegjësi etike, morale e ligjore për të garantuar sigurinë e produkteve të tij.

Shtëpia e Bardhë ka ndarë 140 milion dollarë nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës për të krijuar shtatë institute të reja kërkimore të inteligjencës artificiale.

Në fillim të kësaj jave, personi i konsideruar “babai” i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton la punën e tij në Google, duke u shprehur “i penduar” për çfarë ka bërë. BBC-së i tha se disa nga rreziqet e produkteve të inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”.