Sport sport

Shqipëri-Çeki, Sylvinho ul në stol Balliun dhe Uzunin, Asllani nga minuta e parë! Tifozët ‘zjarr’ në Pragë

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në Pragë në orën 20:45 kundër Çekisë vendase, me duelin që vlen për kualifikueset e grupit E të Euro 2024 që do zhvillohet në Gjermani vitin që vjen. Tifozët e Kombëtares janë bërë bashkë dhe kanë “pushtuar” stadiumin “Fortuna Arena”, aty ku do zhvillohet ndeshja.

Me këngë patriotike dhe me valle, kuqezinjtë duken si në shtëpinë e tyre, teksa pritet që më shumë se 4 mijë fansa shqiptarë të jenë në stadium, edhe pse zyrtarisht do duhet të ishin diçka më shumë se 1200.

Që prej ditës së djeshme tifozët e Kombëtares ishin prezent në Pragë, duke kthyer në festë sheshet dhe lokalet në kryeqytetin çek.

Trajneri i tanëve, Sylvinho ka bërë edhe zgjedhjet e tij në listën me 23 emrat që do ketë të gatshëm për këtë duel. Sipas protokollit të bërë publik edhe nga UEFA, Odise Roshi ka mbetur në tribunë për këtë sfidë, me Mujën dhe Dakun që do jenë të gatshëm. Nëse Qazim Laçi mbeti në Tiranë për shkak të problemeve gripale, Roshi ka dalë “i tepërt” për Çekinë.

Sylvinho do luajë me skemën 4-3-3, teksa Berisha është në portë. Në mbrojtje luan Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, ndërsa mesi i fushës për Ramadanin, Asllanin dhe Bajramin. Sulmi i takon Asanit, Seferit dhe Cikalleshit. Bie në sy se jashtë formacionit ka mbetur Balliu, Gjasula dhe Uzuni. Me bërjen publike të formacioneve, bie në sy se kapiteni i ri i Shqipërisë do jetë Berat Gjimshiti. Edhe pse Berisha dhe Hysaj janë në fushë, mbrojtësi i Atalantës është graduar në detyrën e re.

Për grupin E kualifikues, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë pas tre ndeshjeve, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë.

Në total dy kombëtaret janë venë përballë njëra-tjetrës në 6 raste, ndërsa 5 prej tyre kanë qenë në periudhën kur Çekia dhe Sllovakia ishin bashkë. Tre sfidat e para kanë qenë miqësore, një fituar nga Çekosllovakia dhe dy të tjerat nga Shqipëria. Të vetmet ndeshje zyrtare janë zhvilluar në vitin 1991 për kualifikueset e Europianit, teksa Çekosllovakia i ka fituar të dyja. 0-2 në Tiranë dhe pak më vonë 2-1 në Pragë.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Bajrami, Ramadani, Asllani; Asani, Seferi, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Çekia (3-4-3): Pavlenka; Holes, Brabec, Krejci; Coufal, Soucek, Kral, Provod; Cerny, Cvancara, Kuchta Trajner: Jaroslav Sihavy