Sport

Shqipëri-Estoni, disa pamje ekskluzive nga përgatitja e lojtarëve tanë dhe fillimi i ndeshjes!

Shqipëria përballet për pak minuta, në orën 18:00 me Estoninë në “Air Albania”. Një ndeshje miqësore që do i shërbejë trajnerit Edy Reja për të aktivizuar ata që kanë pasur më pak minuta.

Këto janë disa pamje ekskluzive nga përgatitjet e lojtarëve tanë.

Disa momente ekskluzive gjithashtu janë shkrepur dhe nga momenti kur lojtarët tanë dhe ekipi përgatitor janë rreshtuar për të kënduar himnin e flamurit.

Ndaj Estonisë do të luajmë për herë të katërt. Asnjëherë më parë nuk jemi ndeshur me të në ndeshje zyrtare, por vetëm në miqësore. Sfida e parë përkon në vitin 2003. Kuqezinjtë fituan 2-0 në kryeqytetin shqiptar, falë golave të Adrian Aliajt dhe Alban Bushit. Një vit më pas do të dilnim të pamposhtur nga transferta estoneze, (1-1) me golin tonë që e realizoi Adrian Aliaj. Ndeshja e fundit është luajtur në vitin 2009, sërish në transfertë. Dueli përfundoi në barazim të bardhë 0-0.

Muajin e kaluar u bë e ditur se Federata Shqiptare e Futbollit arriti akordin me Federatën Estoneze, që ky takim të luhet në datën 13 qershor 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00. Më parë, në këtë datë ishte planifikuar që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e Moskës, si rezultat i pushtimit të Ukrainës e që vijon prej 24 shkurtit, FSHF-ja vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore.

Ne i urojmë Kombëtares tonë fitoren!