Aktualitet Bota

Polonia po përgatitet për një pushtim të mundshëm rus!

Javët e fundit lufta është rikthyer papritmas në qendër të vëmendjes së Evropës. Vështirësitë që po has kundërsulmi i ushtrisë ukrainase, i kanë dhënë mundësi ushtrinë ruse të rifitojë disa pozicione në lindje të vendit, teksa kanë rifilluar bombardimet masive ndaj qyteteve të mëdha, sipas mediave italiane.

Vladimir Putin po shfaqet më i sigurt, ndërsa ndihma e Brukseli për Kievin është ende e bllokuar nga Viktor Orban. Ndërkohë ndihma e SHBA-së ka mbetur peng në Kongres, e shoqëruar me perspektivën shqetësuese të një fitoreje të Donald Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, dhe e një distancimi të plotë të saj nga mbështetja e Ukrainës.

Dhe në këtë skenar dëshpërues, Evropa duket se nuk është e vetëdijshme mbi rrezikun e madh që po troket në dyert e saj. Pak ditë më parë, bënë bujë disa raportet konfidenciale të  forcave të armatosura gjermane dhe estoneze. Ato theksojnë se një përplasje e drejtpërdrejtë me Rusinë, është më e mundshme dhe më e afërt nga sa mund ta imagjinojmë.

Informacione të tilla, shkaktojnë habi apo befasi, sepse opinioni publik evropian nuk e ka perceptimin e rrezikut që i kanoset, dhe nuk është i përgatitur mbi atë që mund të ndodhë. Fabian Hoffmann, studiues për Projektin Bërthamor në Universitetin e Oslos në Norvegji, na e kujtoi këtë disa ditë më parë:”Që nga viti 2014, intelektualët rusë kanë diskutuar gjerësisht dhe publikisht se si mund të fitohet një luftë kundër NATO-s. Po ne ku jemi me diskutimet tona mbi këtë skenar?”.

Për shumë kohë na është thënë se ky debat vlen për pjesën më të madhe të Evropës, por jo për të gjithë. Për shembull, nuk vlen për ato vende që janë në vijën e parë pas frontit, dhe që për arsye historike dhe gjeografike kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Pra alarmi vlen mbi të gjitha për Poloninë. Ditët e fundit Ministria polake e Mbrojtjes, ka publikuar udhëzime të reja në rastin e një mobilizimit të përgjithshëm ushtarak apo shpërthimit të një lufte. Rregullat e përcaktuara janë shumë kufizuese. Të mobilizuarit, do të kenë vetëm 6 orë për t’u paraqitur në komandë.

Kushdo që nuk e bën këtë, do të dënohet me jo më pak se 3 vjet burg. Dënime edhe më të rënda parashikohen për ata që e shmangin tërësisht mobilizimin. Për ta parashikohet jo më pak se 5 vite burg. Fakti që këto masa u miratuan më pak se një muaj pas betimit të qeverisë së re, vërteton se çështja e gatishmërisë ushtarakë në rastin e një sulmi rus, është prioritet kryesor.

Asgjë nuk duhet t’i lihet rastësisë. Nga ana tjetër, fakti që Polonia po përgatitet prej disa kohësh për një përplasje të mundshme me Moskën, nuk është diçka e re. Nuk është ndonjë mister që një nga objektivat e Varshavës, është të ketë ushtrinë më të madhe tokësore në Evropë.

Në total me 300.000 trupa, nga të cilat 250.000 profesionistë dhe 50.000 vullnetarë, që do t’i shtohen kontingjentit prej 11.600 ushtarësh që janë tashmë pjesë e njësive të NATO-s.

Buxheti i ri – që aktualisht po diskutohet dhe pritet të miratohet – synon të rritë shpenzimet për ushtrinë në 4 për qind të PBB-së, siç ishte premtuar nga qeveria e mëparshme. Ndër të tjera, pritet edhe një rritje me 20 për qind të pagës së ushtarëve dhe oficerëve profesionistë.

Një pjesë e madhe e fondeve, janë të destinuara për riarmatimin, që siç dihet është një program shumë i madh. Gjatë 18 muajve të fundit, Polonia ka nënshkruar marrëveshje të mëdha me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për blerjen e 1400 tankeve të reja, 48 avionëve të rinj FA-50 dhe 32 avionëve luftarake F-35, sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri të kalibrit të rëndë dhe raketahedhëse.

Për momentin çështja e sigurisë kombëtare, duket të jetë pika e vetme e vazhdimësisë midis  qeverisë së vjetër dhe asaj të re. Edhe presidenti i vendit Andrzej Duda, i është referuar shpeshherë rëndësisë së këtij koncepti. Gjatë fjalimit të tij me rastin e Vitit të Ri, Donald Tusk, tha ndër të tjera se është e papranueshme të flitet për lodhje ndaj luftës në Ukrainë.

Një mesazh që i drejtohej me shumë aleatëve, dhe sidomos të gjitha vendeve perëndimore që po nisin t’i kthejnë kurrizin Kievit, por edhe opinionit publik vendas. Në fakt lufta për Poloninë është gjithmonë e afërt, edhe pse në pamje të parë nuk mund të kuptohet. Por ajo mund të shihet dhe të ndihet në fytyrat dhe historitë e miliona ukrainasve që u detyruan të gjenin strehë në vendin fqinj për t’i shpëtuar bombave dhe ushtarëve të Moskës.

Këta refugjatë lufte, kanë bërë me kalimin e kohës fqinjë, kolegë dhe miq. E megjithatë, lufta është në të njëjtën kohë diçka që ne priremi ta harrojmë, sidomos në qytete ku jeta ecën shpejt, dhe ku nganjëherë mirëqenia e zbeh dhe e mjegullon kujtesën e frikës dhe emocioneve të muajve të parë pas pushtimit, kur polakët mirëpritën mijëra ukrainas në shtëpitë e tyre, kur ishin në radhë në zyrën e pasaportave dhe shkëmbenin paratë, dhe kur zhurma e një sirene i trondiste që të gjithë.

Pjesa më e madhe e kësaj ndjenje është zhdukur, për t’u zëvendësuar nga një normalitet i ri, ku shkronjat cirilike janë bërë të zakonshme, ku 1 në 5 persona që ndesh në rrugë flet një gjuhë tjetër. Edhe pse mbështetja për kauzën ukrainase, është ende shumë e lartë në mesin e popullatës, shenjat e intolerancës kanë filluar të shfaqen midis disa grupeve të pakicave.

Këto janë të nxitura mbi të gjitha nga e djathta ekstreme, Konfederacja, dhe në një masë më të vogël gjatë pjesës së fundit të mandatit qeverisës së partisë Ligj dhe Drejtësi. Kjo ndodhi për shkak të protestës së fermerëve, të cilët kërkuan ndalimin e importeve të drithërave nga Ukraina, pasi ato kishin pushtuar tregun vendas.

Ndodhi edhe me kamionistët, që kërkojnë nga kolegët ukrainas t’i jepet fund liberalizimit të licencave. Që të dyja këto grupime interesi, kanë shkaktuar muajt e fundit një bllokadë të zgjatur në pikat kufitare, duke vënë në vështirësi marrëdhëniet midis Varshavës dhe Kievit. Për këtë arsye, janë bërë një prioritet i qeverisë së re të Donald Tusk. Një mision, që ka qenë pjesërisht i suksesshëm. Kamionistët kanë paralajmëruar pezullim të protestës deri më 1 mars, ndërsa presin që Ministria e Infrastrukturës të paraqesë propozime konkrete lidhur me kërkesat e tyre.

Në një lëvizje të ngjashme, fermerët kanë deklaruar se nuk do të protestojnë deri më 15 mars.

Megjithatë, Polonia është një vend ku lufta ka depërtuar de fakto më shumë se një herë. Kjo ndodhi mëngjesin e 29 dhjetorit 2023, kur një raketë hyri në hapësirën ajrore polake nga kufiri ukrainas, fluturoi për shumë minuta mbi Lublin, përpara se të kthehej në drejtimin nga kishte ardhur.

Shumëkush bëri një paralelizëm me tragjedinë që ndodhi në Przewodów, kur më 15 nëntor 2022 një raketë ra në tokën e një kompanie bujqësore në një fshat pranë kufirit, duke i marrë jetën 2 personave. Deri më sot, këto janë viktimat e vetme të konfliktit jashtë vendeve të përfshira drejtpërdrejt në konflikt.

Në atë rast, u zbulua se shpërthimi i ishte shkaktuar nga një raketë kundërajrore ukrainase që doli jashtë kontrollit. Një ngjarje aksidentale, por që për disa orë u duk se e vendosi botën në pragun e Luftës së Tretë Botërore.

Ndërkohë rasti i raketës që u rrëzua në një pyll 20 kilometra larg Bydgoszcz, një qytet me 320.000 banorë në veri të Polonisë, shkaktoi shumë më pak reagime. Incidenti ndodhi vetëm një muaj më vonë, por u bë publik vetëm pranverën e vitit të kaluar kur mbeturinat e raketës u gjetën rastësisht nga një njeri që po shëtiste me kalë.

Nuk ka dyshim se autoritetet ishin të vetëdijshme mbi atë që kishte ndodhur, por nuk kishin arritur të gjenin mbetjet e raketës dhe e kishin fshehur ngjarjen. Distanca nga kufijtë ukrainas, të nxit të mendosh se vështirë se mund të ketë qenë një aksident.

Dhe kjo shpjegon me gjasë edhe ngurrimin e qeverisë së atëhershme polake për ta bërë atë publike. Çfarë do të kishte ndodhur nëse një muaj pas 2 të vrarëve në Przeëodóë, do të ishte vërtetuar se rusët kishin lëshuar një raketë në zemër të Polonisë?

Ajo që ndodhi në fund të vitit të kaluar i përshtatet kuadrit të ngjarjeve. Pas mbledhjes së kabinetit të sigurisë kombëtare, u zbulua se raketa ishte lëshuar nga rusët. Një akuzë e mohuar nga Moska, por e konfirmuar nga vendet aleate që e kishin identifikuar trajektoren e objektit fluturues.

Ka të ngjarë që raketa të ishte një test nga ana e Kremlinit mbi kapacitetin e reagimit të qeverisë së re polake. Nga ana tjetër, kjo lloj përballje nuk është asgjë e re. Në gushtin e vitit të kaluar, 2 helikopterë të ushtrisë bjelloruse fluturuan për disa minuta mbi fshatin polak Białoëieża.

Ato ishin javët, në të cilat disa qindra militantë të Wagner-it u vendosën në Bjellorusi pas puçit të dështuar të Yevgheny Prighozhin. Klima ishte shumë e tensionuar. Nga ana e saj Ministria polake e Mbrojtjes kishte ri-pozicionuar më shumë se 10 mijë ushtarë në kufi.

Por edhe në atë kohë, edhe veprimi i regjimit të Minskut dukej të ishte më shumë një provokim dhe matje pulsi. Variabli që e ndryshon peshën specifike të këtij lloj incidenti, është ajo që po ndodh tani në Ukrainë dhe konteksti i përgjithshëm.

Nëse verës që shkoi situata mund të konsiderohej ende mjaftueshëm e qëndrueshme, tani nuk është më kështu, ndaj është e nevojshme t’i bëjmë vetes pyetjen se çfarë mund të ndodhë nëse gjërat do të shkojnë vërtet keq. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka përsëritur disa herë, madje edhe në Forumin e Davosit:”Putini nuk do të mjaftohet vetëm me Ukrainën!”.