Sport

Shqipëri-Poloni, hyrja në “Air Albania” prej orës 18:00!

Sonte në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria përballet me Poloninë. Për kuqezinjtë, kjo do të jetë si një finale, në garën për vendin e dytë në Grupin I kualifikues të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Rëndësia e sfidës është shumë e madhe jo vetëm për dy përfaqësueset, Shqipërinë e Poloninë, por edhe UEFA-n që ka zgjedhur për këtë duel një prej arbitrave më të mirë në qarkullim për momentin, francezin Clement Turpin.

Një ditë para ndeshjes me Poloninë, trajneri Edi Reja vuri në dukje se në fillim të shortit nuk ishte optimist, por tani gjërat kanë ndryshuar.Në konferencën për shtyp ku u pyet nëse e imagjinon Shqipërinë në Kupën e Botës, tekniku italian theksoi se duhet treguar personalitet në ndeshje të tilla, ndonëse shtoi se fati është pjesë e rëndësishme.

Ndërkaq, Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm në stadiumin kombëtar “Air Albania” se hyrja e tyre fillon në ora 18:00.

Të gjithë personat e pajisur me biletë, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe nuk do të lejohen fëmijët nën 16-vjeç, të pashoqëruar nga prindërit. Nuk do të lejohen disa sende, si bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike. Në këtë ndeshje, lejohet vetëm flamuri zyrtar shqiptar.

Policia e Tiranës merr masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së sotme me Poloninë, në stadiumin “Air Albania”. Prej orës 16:00 do të ketë bllokime të disa segmenteve. Eshtë fjala për rrugët “Lek Dukagjini”, “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Gjergj Filipi”, “Asim Zeneli” e “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.