Aktualitet

Shqipëria 15 vjet në NATO, Peleshi: Fatlumë që jemi pjesë e kësaj hapësire!

Këtë vit, vendi ynë 15-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën më të madhe ushtarake, NATO. Nga përfaqësia jonë diplomatike në Bruksel, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu vlerësimin për kontributin që përfaqësuesit tanë kanë dhënë dhe japin çdo ditë, në këtë rrugëtim.

Jemi fatlumë që jemi pjesë e hapësirës së NATO-s, e kësaj Aleance të fuqishme ushtarake. Unë dua të përgëzoj punën e përditshme që përfaqësia jonë bën për të përcjellë mesazhet, qëndrimet dhe për të lobuar interesat strategjike kombëtare këtu në NATO, në komitete të ndryshme, por edhe në komandat, jo vetëm në Bruksel, por edhe në të gjithë hapësirën e NATO-s.

Blerim Çaka, këshilltar për Politikën e Mbrojtjes, thotë se janë në komunikim dhe bashkëpunim të përditshëm dhe të ngushtë me 31 aleatët e partnerët për jetësimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s.

Përfaqësuesi ushtarak i Republikës së Shqipërisë në NATO, gjeneral brigade Ilir Pujo shprehet se pjesa ushtarake është zëri dhe figura e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfaqëson vendin tonë në forumet e NATO-s, në komitete ushtarake, nënkomitete, grupe pune dhe në borde të ndryshme.

Sipas Kolonel Leonard Kollçakut, zv/përfaqësuesi ushtarak i RSH në NATO, “detyra parësore e stafit ushtarak është përgatitja e këshillimit sa më të mirë ushtarak për autoritetet vendimmarrëse në Tiranë e po ashtu në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Kjo në përputhje me interesat tona kombëtare të shprehura në dokumentet strategjike”.

Por, një rëndësi të veçantë ka edhe procesi i planifikimit, i cili sipas këshilltares për Politikën e Mbrojtjes Ina Stratobërdha, është një tjetër element i rëndësishëm që bën të mundur lidhjen midis komponentit politik dhe nevojave operacionale të Aleancës Veri-Atlantike.

Në këtë përvjetor të 15-të, Shqipëria po shënon një sërë arritjesh në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Në datën 4 mars të këtij viti, në Kuçovë u inaugurua baza ajrore taktike e NATO-s, e vetmja bazë e Aleancës në rajon, ndërsa theksohet se modernizimi i Forcave tona të Armatosura vijon me ritme të shpejta, në përmbushje edhe të detyrimeve të Aleancës.