Sport sport

Shqipëria 3 medalje në Kampionatin Ballkanik të Karatesë në Tiranë

Kjo fundjavë ka ulur siparin e Kampionatit Ballkanik të Karatesë për të rritur dhe veteranë që u zhvillua për herë të parë në Tiranë në sallën olimpike “Feti Borova”.

Mbi 360 sportistë që përfaqësojnë jo vetëm Shqipërinë e Kosovën, por dhe Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë, Greqinë, Turqinë, Kroacinë, Bullgarinë apo edhe Rumaninë, kanë bërë të mundur zhvillimin e një kampionati mjaft interesant duke arritur qëllimin e tij dhe ka justifikuar besimin e federatës ballkanike që I besoi Shqipërisë organizimin e tij.

“Ju falënderoj të gjithëve dhe uroj që ky kampionat të përcjellë paqe dhe çdo gjë të bukur që përfaqëson”, tha Petrit Baba, President i Federatës së Karatesë.

Por më i kënaqur me organizimin e Shqipërisë është presidenti i Federatës Ballkanike të Karatesë, Davor Çipek.

“Unë jam shumë i mrekulluar me organizimin e Shqipërisë dhe të Tiranës. Një nivel i lartë organizimi dhe mikpritje e mendoj se të gjithë u ndjenë të lumtur në Tiranë. Me këtë që shoh nuk do të jetë e largët dita që Shqipëria të bëjë dhe aktivitete më të mëdha. Dhe besoj se e meriton”, tha Davor Çipek, President i Federatës Ballkanike të Karatesë.

Shqipëria e mbylli këtë aktivitet me 3 medalje, një të artë për veteran, një argjendi për peshën deri në 60 kg dhe një tjetër po të argjendtë për peshën deri në 67 kg.