Aktualitet

Shqipëria e para në Evropë për rritje të fluturimeve/Rama: Edhe tetori shënoi bum në turizëm!

Organizata Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror (Eurocontrol) e renditi Shqipërinë të parën në Evropë, me rritje të numrit të fluturimeve në javën 16-22 tetor, në raport me periudhën e para pandemisë koronavirus.

Ndërsa ndau statistikat e publikuara nga Eurocontrol-i, kryeministri Edi Rama u shpreh se edhe tetori shënoi një bum në turizëm si kurrë më parë.

Ndërkohë, Rama tha se Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit vazhdon në krye të klasifikimit të Agjencisë Europiane të Trafikut Ajror, për rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në periudhën e muajve janar-shtator, në vend kanë hyrë gjithsej 8.3 milion shtetas të huaj, shifër kjo 29% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas shifrave zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, nga 1 janari deri në fillim të muajit tetor të këtij viti, mbi 5.4 milion pasagjerë janë përpunuar vetëm në Rinas, duke shënuar një rritje me 37% krahasuar me vitin e kaluar.