Shqipëria paditet në arbitrazh për koncesionin e terminalit të kontejnerëve në Durrës

Kompania Kurum ka paditur Shqipërinë në arbitrazh ndërkombëtar, duke kërkuar një dëmshpërblim me vlerë të raportuar prej 100 milionë euro për prishjen e kontratës së terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit. Kompania ‘Durrës Container Terminal’ Sha dhe investitorë të tjerë në koncesionin e përpunimit të kontejnerëve në portin e Durrësit, kanë bërë një padi në arbitrazh pas prishjes së kontratës nga një gjykatë shqiptare dhe sekuestrimin e terminalit nga përmbaruesit.

Çështja kundër Shqipërisë është regjistruar në 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID, në Uashington. Padia kundër Shqipërisë është regjistruar nga kompanitë e regjistruara në Shqipëri “Durrës Kurum Shipping shpk”, “Durrës Container Terminal Sha”, “Metal Commodities Foreign Trade Corp” e regjistruar në SHBA dhe “Altberg Developments LP” në Britani, të cilat janë investitorët në koncesionin e terminalit të kontejnerëve.

Sipas një artikulli në “Global Arbitration Review”, një revistë e specializuar për çështjet e arbitrazhit, Kurum dhe investitorët e tjerë kërkojnë një dëmshpërblim nga shteti shqiptar të barabartë me 100 milionë euro. Anulimi i kontratës së koncesionit është ekzekutuar disa muaj më parë, pas një beteje të gjatë ligjore për prishjen e kontratës së partneritet publik private midis kompanisë turke dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.