Politikë

Shqipëria përgatitet për zgjedhjet e pjesshme vendore, PS i mbyll derën të dekriminalizuarëve

Nga Shkodra, presidenti Ilir Meta deklaroi sot se zgjedhjet e 6 marsit janë mundësi për qytetarët që të zgjedhin kryetarët në disa bashki. Kreu i shtetit u shpreh se “ky është një moment i rëndësishëm për të rehabilituar institucionin e votës së lirë në vend”.

I pyetur nëse në këtë rast po shmanget Partia Demokratike dhe po favorizohet ajo Socialiste, Meta tha se “nuk po shmanget asnjë parti” e se “të favorizuar janë qytetarët që më 6 mars do të kenë mundësinë të zgjedhin midis disa kandidatëve”.

Partia Socialiste është gati “të ndezë” motorët e përgatitjeve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit për kryetarë të bashkive Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnje, Vorë e Rrogozhinë. Kryeministri Rama i mbyll derën për kandidatë të gjithëve atyre që janë larguar si pasojë e dekriminalizimit.

Duke folur në përfundim të mbledhjes së Kryesisë, Rama theksoi se “PS nuk i jep shans askujt që ka gënjyer për një aspekt të jetës apo veprimtarisë së tij”.

Edhe Partia Demokratike do të garojë në zgjedhjet e 6 marsit. Jorida Tabaku tha sot se do të zgjedhin kandidatët më të mirë e pritet t’i prezantojnë në kohë.

Por nga Partia Demokratike, kandidatë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit do të prezantojë edhe Komisioni i Rithemelimit i ngritur në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit të kaluar, të thirrur nga Berisha. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso sqaron se deri në 30 janar kandidatët dhe degët në 6 bashki të vendit do të kenë mundësi të regjistrojnë emrat që do t’i nënshtrohen procesit të selektimit.

“Me vendim të Komisionit të Rithemelimit është vendosur çelja e procesit të primareve. Për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e 6 Marsit”, thotë ai.

Pa logon zyrtare të PD por të bindur se kanë shumicën brenda PD, Komisioni i Rithemelimit është gati t’i marrë PD aleatët me të cilët ishte në aleancë në zgjedhjet e 25 prillit, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Jemi në kontakt me të gjithë ata që garuan në zgjedhjet e fundit lokale kundër PS dhe Ramës. Jemi konfident dhe besimplotë që nesër apo pasnesër të kemi një përfundim me secilin aleat”.

Kreu i PAA, Agron Duka pranon se ka takuar Berishën por tregohet i kujdesshëm të flas për një aleancë me të.

“Me Bashën nuk jemi takuar. Nuk kemi asnjë lloj ftese. Gjasat janë që nuk do ketë takim. Sepse për një javë fillojnë regjistrimet. Nga zoti Berisha kemi pasur takim Unë personalisht e kam takuar. Kemi vendosur të mbështesim një kandidaturë që na duket më e përshtatshme për një bashki të caktuar.

Kjo mund të jetë e një grupi apo edhe një grupi tjetër. Bërja e një koalicioni me Bashën tashmë nuk është se kemi ndonjë kërkesë, por me Berishën që kemi një farë kërkese nuk i ndihmon bashkimit, por i ndihmon përçarjes”, shprehet Duka.

Por në kushtet kur KQZ njeh zyrtarisht Lulzim Bashën nën logon e PD, si do të regjistrohet në këto zgjedhje Komisioni i Rithemelimit?

“Ka shumë modalitete si kandidatët tanë mund të regjistrohen”, thotë Ivi Kaso.

Formula e konsesusit që kreu i LZHK, Dashamir Shehi propozoi një ditë më parë ishte ngritja e një komisioni me përfaqësim të gjerë opozitar për të zgjedhur vetëm një kandidat në opozitë.