Aktualitet

Shtyhet seanca gjyqësore për turkun Ozer!

Shtyhet seanca gjyqësore e Faruk Ozerit, i cili u arrestua në Shqipëri pas akuzave nga drejtësia turke për mashtrim. Avokati mbrojtës i 28-vjeçarit turk ka kërkuar të njihet me provat e akuzës. Prej më shumë se një viti, Faruk Ozer ishte i shpallur në kërkim nga vendi i tij dhe u arrestua nga policia e Elbasanit.

Prej prillit të vitit të kaluar, Turqia kërkoi me insistim nga autoritetet shqiptare arrestimin e 28-vjeçarit, i cili në vendin e tij kishte ngritur një skemë mashtrimi që kapte vlerën rreth 2.7 miliardë dollarë.

Në vitin 2017, Faruk Ozer krijoi bursën Thodex ku tregtoheshin kriptomonedha. Në Thodex krijuan llogari të tyre rreth 400 mijë qytetarë, kryesisht turq të cilët kishin investuar rreth 2.7 miliardë dollarë.

Në fillim të prillit të vitit të kaluar qytetarë të ndryshëm nuk patën më akses në llogaritë e tyre dhe ngritën padi për themeluesin e Thodeks. Në një reagim në Twitter ai tha se kishin të bënin me një problem teknik dhe gjithçka do të zgjidhej, por kjo nuk ndodhi dhe më 22 prill të vitit të kaluar ai u shpall në kërkim ndërkombëtar e u zbulua se fshihej në Shqipëri.

Mbi 28-vjeçarin nga drejtësia turke rëndojnë akuzat e “Ngritjes së organizatave qëllim kryerjen  e krimeve” dhe “Mashtrim në rrethana rënduese”.