Aktualitet

Si mjek në Kuvend, deputeti demokrat Dashnor Sula sqaron simbolikën!

Ndërsa sot në Kuvend votohet heqja e imunitetit të deputetit Sali Berisha që SPAK-ut t’i hapet rruga për arrestimin/heqjen e lirisë së tij dhe po sot mbahet një protestë e opozitës me moton “O SOT, O KURRË!”, deputeti i PD-së, Dashnor Sula u shfaq i veshur si mjek, për të dhënë një mesazh. Sula tha se synon t’i tregojë maxhorancës se aksioni opozitar “nuk është për interesa personale”.

Sigurisht që të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se opozita ka që nga data 5 tetor, po mbushen dy muaj, që proteston. Ka një aksion opozitar, përsa i përket ngritjes së komisioneve hetimore, që kjo maxhorancë i pengon me forcën e kartonit. Kam ardhur në mënyrë simbolike për t’i treguar maxhorancës se aksioni ynë, i opozitës, nuk është për interesa personale. Për këdo që do ta bëjë pis, aksioni ynë ka nisur nga data 5 tetor dhe do të vazhdojë deri sa të vihet në vend e drejta jonë kushtetuese.

Selia e Parlamentit është blinduar nga masat e sigurisë për protestën e thirrur sot në mëngjes nga opozita. Mësohet se rreth 500 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e saj, si dhe raportohet për instalim të kamerave me rezolucion të lartë.

Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për parandalimin e incidenteve gjatë protestës. Që në orët e para të mëngjesit nisi implementimi i uniformave blu. Do të ndiqet protokolli anti-tubim, me automjete për shpërndarjen e turmës dhe punonjësit janë të pajisur me kundragaz. Në shërbim të përforcuar është edhe Garda e Republikës, në të gjitha institucionet shtetërore.