Aktualitet

Skandali i publikimit të pagave, kryeprokurorja e Tiranës, Imeraj: “Do të kemi autorë!”

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha sot se “organi akuzës po kryen të gjitha hetimet për çështjen e skandalit të publikimit të pagave e se do të ketë edhe autorë”.

Në raport me çështjen në fjalë do them dy fjalë shkurt, duke qenë se është sensitive e për shkak të vëmendjes së shtuar jo vetëm të gazetarëve, por edhe të opinionit publik në tërësi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen çdo veprim të nevojshëm e të duhur hetimor, brenda një kuadrati të lejuar nga ligji. Jemi të bindur që deri në fund të këtij hetimi, veprimet do të jenë intensive dhe do të konkludohet me vendimmarrje konkrete. Grupi hetimor është i përkushtuar në drejtim të kryerjes së veprimeve të duhura hetimore dhe normalisht që do kemi autorë.

Imeraj theksoi se për këtë çështje do të ketë një konferencë, me zbulimin e autorëve.

Ndërkaq, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj u shpreh:

Ne jemi përfshirë në grupin hetimor bashkë me Prokurorinë e Tiranës dhe jemi duke kryer veprimet e nevojshme. Eshtë një grup i posaçëm hetimor që po merret me këtë çështje.

Nuk kanë fund publikimet e të dhënave personale të shqiptarëve. Pas zbulimit të pagave e të tjera të dhënave, tashmë në rrjet po qarkullon një databazë me targat e makinave. Dokumenti përmban të dhëna për mbi 530 mijë qytetarë, targën e llojin e makinës. Drejtori i Sistemit Informatik të Tatimeve, Ervin Muça dha dorëheqjen dhe është vendosur në dispozicion të hetimeve. Shkaku lidhet me publikimet e vazhdueshme të të dhënave personale të qytetarëve.

E ndërsa vijon skandali, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audovizive, Armela Krasniqi, u ka nisur një shkresë të gjithë subjekteve audio e audiovizive, të mos i publikojnë.

Gjatë veprimtarisë së tyre, operatorët duhet të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private.